Sot në selinë e Lëvizjes BESA qëndroi Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, z. Xhes Bejli, i shoqëruar nga këshilltarët e tij, ku u prit nga kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Me këtë rast Kryetari i Lëvizjes BESA Kasami e njoftoi Ambasadorin Bejli me aktivitetet e Lëvizjes BESA, me ngritjen e strukturave, si dhe me kontributin që e jep BESA në demokratizimin e vendit dhe ndërtimin e rolit të saj të mirëfilltë opozitar. Ai po ashtu ripohoi se për BESËN është e rëndësishme të përmbushen në përpikëri detyrimet e Marrëveshjes së Përzhinës dhe pastaj vendi të shkojë në zgjedhje të drejta, demokratike dhe korrekte.

Përveç kësaj, Kryetari Kasami e falënderoi Ambasadorin për punën e tij të deritanishme në demokratizimin e vendit dhe kërkoi që edhe më tej të vazhdojë ndihmesa e SHBA-ve për të krijuar kushte për zgjedhje të rregullta, sepse sipas tij, këto zgjedhje duhet të jenë çelësi i të ardhmes demokratike në Maqedoni.

Ambasadori, nga ana e tij, e përshëndeti angazhimin e Lëvizjes BESA dhe kontributin e saj në mbarëvajtjen e proceseve demokratike në vend.

7

8