Aktorja fituese e çmimit Oscar dhe ambasadorja e vullnetit të mirë të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), Angelina Jolie, do të vizitojë Bangladeshin ku ndodhen rreth 1 milion muslimanë të Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga UNHRC bëhet e ditur se Jolie këtë javë do të kryejë një vizitë 3 ditore në Bangladesh.

Aktorja amerikane Jolie do të vizitojë muslimanët e Arakanit që janë strehuar në kampin e refugjatëve Kutupalong në Cox’s Bazar pasi janë larguar 1,5 vite më parë nga masakrat në Mianmar.

Në kampin e refugjatëve Kutupalong i cili strehon më shumë se 620 mijë qytetarë të Arakanit dhe i cili ka cilësinë si kampi më i madh në botë për refugjatët, Jolie do të ketë mundësinë që të shikojë në vend nevojat humanitare të muslimanëve të Arakanit si dhe “vështirësitë kritike” me të cilat përballet qeveria e Bangladeshit.

Po ashtu Jolie gjatë vizitës së saj në Bangladesh do të takohet në Dakar edhe me kryeministren Sheikh Hasina, ministrin e Jashtëm AK Abdul Momen dhe zyrtarë të tjerë.

Ambasadorja e vullnetit të mirë të UNHCR-së, Jolie, gjatë takimeve do të diskutojë për mënyrat se si mund të kontribuojë më shumë UNHCR-ja në ndihmat humanitare që qeveria e Bangladeshit kryen për muslimanët e Arakanit të cilët janë “një prej pakicave që diskriminohen më shumë në botë”.

Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen se vizita e Jolie po zhvillohet menjëherë para “Planit të ndihmës së përbashkët 2019” për 920 milionë dollarë që UNHCR-ja do të nisë për të përmbushur nevojat themelore të muslimanëve të Arakanit dhe për të mbështetur popullatat e rajonit lokal që u “ofrojnë atyre ndihmë bujare”

Jolie ka vizituar muslimanët e Arakanit të zhvendosur nga vendi i tyre edhe në vitin 2015 në Mianmar dhe në 2016 në Indi.

– Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB-së), që nga 25 gushti i vitit 2017 e deri tani, ka arritur në 730 mijë numri i të strehuarve në Bangladesh pasi u larguan nga presioni dhe persekutimi në Arakan. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nëpërmjet pamjeve satelitore kanë vërtetuar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë si “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit, e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më tani nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë lidhur me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

Organizatat e të drejtave të njeriut, në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit pa sigurimin e ambientit të përshtatshëm dhe të sigurt, shprehin shqetësimin se kjo do të shkaktojë një fushatë të re të spastrimit etnik.

Loading...