Viktor Angelov ka deklaruar se skuadrën e tij Shkupi e pret një ndeshje e vështirë kundër Pobedës, në kuadrin e javës së 20-të në Ligën e parë. Megjithatë, mesfushori thotë se nëse luajnë ashtu sic dinë dhe me  ndihmën e publikut, atëherë pikët do të mbesin në Çair.

“Javën që lamë pas kemi luajtur një ndeshje nën mundësitë tona kundër Sileksit, ku në fund ndoshta edhe ishim me fat që morëm një pikë. Na pret tani një ndeshje kundër një kundërshtari mjaft të papërshtatshëm, sikurse është Pobeda. Besoj që nëse luajmë mirë ashtu sikurse dhe dimë dhe së bashku më ndihmën e publikut tonë, do të arrijmë deri te tri pikët e dëshiruara”, ka thënë Angelov.

Skuadra e Shkupit edhe në këtë ndeshje ka dy mungesa, shkaku i problemeve me vizën e punës do të mungojë përsëri Maharafa Tandina, ndërsa Basilio Ndong ende nuk është riaftësuar plotësisht.

Ndeshja Shkupi – Pobeda luhet të dielën me fillim në orën 14:00 në stadiumin Çairit, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri Josip Barton.