AFET JASHARI

Me përfundimin e konfliktit të vitit 2001 u arrit Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje kjo që qytetarët e Republikës së Maqedonisë i parasheh të barabartë në të gjitha sferat institucionale. Por nëse e analizojmë, sa kjo marrëveshje është miratuar nëpër institucione sa i përket punësimit proporcional të shqiptarëve si është gjendja e tyre dhe sa prej tyre janë profesionalizuar në bazë të asaj tani më që kanë kaluar 15 vite. E vërteta e gjithë kësaj është shumë e hidhur për administratorët shqiptarë në përjashtim të një numri të vogël  që kanë qenë shumë të lidhur me partitë në pushtet , të tjerët edhe pse të aftë, të profesionalizuar dhe të shkolluar , vazhdimisht po diskriminohen, nënvlerësohen bile shumica nuk kanë as kushtet elementare për tu marrë me punët që kërkohen në ndonjë institucion. Administratorët shqiptarë në institucionet shtetërore mund të ndahen në tre kategori, edhe atë administratorë që janë punësuar dhe rrinë në shtëpi pa dëshirën e tyre, administratorë që janë të obliguar të vijnë në punë por nuk janë të angazhuar dhe administratorë që punojnë por të diskriminuar dhe të nënvlerësuar nga udhëheqësit e tyre. Secili që punon në ndonjë institucion shtetëror mund ta gjejë veten në këto kategori. Fatkeqësisht kjo vlen vetëm për të punësuarit shqiptarë, ndërsa administratorët e etnitetit Maqedonas u zbatohen rregullat d.m.th avancohen, si dhe u  sigurohen kushtet për punë.

Ja një rast konkret. Në institucionin ku unë punoj (Ministria e Kulturës) edhe pse janë diku 50 administratorë shqiptarë, shumica prej tyre nuk janë ta angazhuar por janë të obliguar të vijnë në punë. Disa punojnë me 10 vjet e më tepër përvojë ku 99 % prej tyre janë bashkëpunëtorë dhe referent të rinj, përderisa  për kolegët Maqedonas është ndryshe – kushtet për punë u sigurohen edhe atyre që janë me kontratë në vepër, të tjerë edhe me dy vite përvojë avancohen. Këtë që e them, nuk e them se jemi kundër kolegëve maqedonas, por ku është këtu e drejta e barabartë e punëtorëve administrativë, në atë që thirren udhëheqësit politik si ata maqedonas por edhe ata shqiptarë se Maqedonia është shtet demokratik ku respektohet secili pa dallim. Hallet e të punësuarve shqiptarë në të gjitha institucionet shtetërore mbesin jetim edhe kur janë në pyetje çështja e udhëtimit pasi që shumica e administratorëve gjenerojnë nga qytetet e ndryshme të Maqedonisë dhe se shpenzimet e rrugës janë një haraç i majmë nga paga mujore edhe ashtu të ulëta. Po qe se bëjmë një përllogaritje p.sh. të një administratori me pagë mesatare prej 22.000 denarë që udhëton me transport publik 23 ditë në muaj nga qyteti i Gostivarit për në Shkup dhe anasjelltas me një kosto prej 300 denarësh, duke përfshirë këtu edhe racionin ushqimor mesatarisht 100 denarë në ditë ai në fund mund të llogarisë në 12.800 denarë ose 208 euro neto të ardhura.

Tabela tregon rrogën neto për një administrator shqiptarë që udhëton çdo ditë pune Shkup –Gostivar

Rroga neto e një administratori –,,Bashkëpunëtor i ri ,, 22.000,00 denarë  
Transporti  dhe ushqimi për 23 ditë pune psh. Gostivar-Shkup dhe anasjelltas 12.800,00 denarë  
Rroga e mbetur 10.000,00 denarë  

 

Në bazë të rekomandimeve të Unionit Evropian për Republikën e Maqedonisë janë bërë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për nëpunës shtetëror dhe, sipas një analize të kryer ndaj këtij Ligji, i njëjti parasheh: përfshirjen e administratës shtetërore, identifikimin e kompetencave    punësimin e nëpunësve shtetëror, mobilitetin, avancimin e tyre si dhe vendosjen e sistemit të karrierës. Sipas të njëjtit Ligj konsistohet në sigurimin e një administrate shtetërore moderne, profesionale dhe efikase në funksionim të gjenerimit të të drejtave të qytetarëve, pa ndikime politike.   Arritja e këtyre standardeve do të kontribuoj jo vetëm në rritjen e efektivitetit dhe kualitetit nëpër institucionet por edhe në kualitetin e standardit jetësor të të punësuarve. Mirëpo, është një fakt i pacenueshëm për t’u plotësuar këto standarde! Së pari duhet kuptuar disa premisa të patjetërsueshme nga vet institucionet e shtetit që duhet t’i plotësojnë gjegjësisht obligojnë që jo vetëm me anë të legjislativit t’i harmonizojnë këto premisa por të gjykojnë edhe me një qasje profesionale dhe pa paragjykime. Kjo përgjegjësi e institucioneve ndaj resurseve njerëzore duhet të mbështet sidomos në një planifikim strategjik, seleksionim, trajnim dhe perfeksionim profesional, vlerësim (notim) real, delegim të detyrave, udhëzim për komunikim, trajnim dhe këshilldhënie, zhvillim karriere, përgjegjësitë etj. Më saktë të kuptuarit e sjelljes njerëzore fillon me një vështrim të përgjithshëm mbi premisat bazë duke i vëzhguar nëpërmjet disa koncepteve sikurse që janë: vlerat, qëndrimet, cilësitë, perceptimi dhe mësimi. Punësimet sipas MO-së në sfond janë bërë një sinonim denigrimi kur bëhet fjalë për një përfaqësim adekuat të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore për shumë arsye.

Fajin e të gjitha këtyre anomalive për administratorët shqiptarë është tek Sekretariati për implementimin e MO-së pasi që asnjëherë nuk ka bërë ndonjë analizë serioze, e cila prej themelimit e këndej gjithmonë është udhëhequr nga shqiptarët të cilët realisht kanë treguar vetëm shifra, por asnjëherë përqindje sa i përket avancimeve dhe angazhimi i tyre. SIMO, asnjëherë nuk është interesuar dhe nuk ka bërë ndonjë analizë serioze për administratorët shqiptarë në të gjitha institucionet shtetërore për të pasur një pasqyrë faktike. Mendoj se partia shqiptarë  në pushtet BDI  këtu e kanë bërë gabimin më të madh që sekretariati për implementimin e marrëveshjes së Ohrit duheshte të jetë e përkohshme dhe deri tani duheshte të jetë e mbyllur ,ndërsa implementimin dhe qasjen serioze duheshte të kenë  të gjitha institucionet ku nuk zbatohet dhe ku nuk respektohen të drejtat e barabarta qytetare.

Për derisa vazhdimisht ka kriza politike në Maqedoni , administratorët Maqedonas edhe pse trefish më shumë të punësuar pas konfliktit,  ku u respektohen dhe sigurohen edhe kushtet për punë , ankthi i administratorëve shqiptarë vazhdon  të mbetet në mëshirën e fatit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Loading...