Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në mënyrë unanime miratoi rezolutën për dërgimin e 75 vëzhguesve në qytetin Hodeidah të Jemenit për të vëzhguar armëpushimin dhe zhvendosjen e forcave ndërluftuese në vend, raporton Reuters.

Pas një jave bisedimesh për paqe të mbajtura muajin e kaluar në Suedi, grupi Huthi i lidhur me Iranin dhe forcat qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite arriten marrëveshjen për armëpushim në qytetin bregdetar i cili është pikë hyrëse për pjesën më të madhe të mallrave komerciale të Jemenit, dhe lidhja kyçe për furnizim të miliona banorëve të Jemenit që gjenden në prag të urisë.

Lufta në Jemen ka nisur në vitin 2014. Mijëra njerëz janë vrarë, ndërsa mbi 20 milionë kanë nevojë për ndihma humanitare.