“Duke shfrytëzuar të drejtën qytetare për informim të drejtë e korrekt, departamenti i Ekonomisë pranë Aleancës për Shqiptarët, bën thirrje deri tek organet kompetente që të japin raport të detajuar lidhur me “Skandalin e pagesës së pensioneve”.  Ku janë paratë dhe si do të kompensohen ato?

Të interesuar për këto përgjigje janë 12.000 të punësuar të sektorit publik dhe privat, të cilëve kontributi pensional invalidor dyshohet se nuk u është derdhur ne shtyllën e dytë gjatë viteve 2007-2018.

Nga ana tjetër ndryshimet dhe plotësimet që janë bërë në Ligjin për kontribute për sigurim të obligueshëm shoqëror që starton pikërisht në muajin Janar të vitit 2019 na detyrojnë të mendojmë se këto dy momente janë të lidhura.

Ndryshimet përfshijnë:

Rritjen e kontributeve për sigurimin pensional invalidor nga 18% në 18,4%,
Rritjen e kontributeve për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor nga 7,3% në 7,4%.
Nga diferenca e normës së re të kontributeve, bazuar në rrogën mesatare (bruto) për muajin Janar që është 36.017 den. dhe numrin e të punësuarve që në tremujorin e tretë të 2018 është 759 445 të punësuar, të hyrat në fondin pensional nga kontributet do të rriten për 1.778.213 € . Kjo diferencë e rritjes së kontributeve për më pak se 11 muajt e ardhëshëm mund të kompensoj shumën e përfolur, krejt kjo në kohën kur qytetarët kanë aq shumë nevoja elementare të pa përmbushura.

Në mungesë të informacioneve të besueshme dhe deklaratave kontradiktore, jemi të detyruar të mendojmë që mjetet që do mblidhen me normën e rritjes do të shfrytëzohen për të bërë zëvendësimin e të njëjtave, e qytetarët të besojnë që bëhej fjalë për gabim teknik, ashtu sikurse njëra palë e involvuar tenton ta paraqesë. Nisur nga realiteti i shtetit ku jetojmë, në të cilën ikja ose amnistimi i kriminelëve dhe hajdutëve është bërë përditshmëri, po theksojmë shqetësimin tonë që edhe ky rast do të përfundoj si gjithë të tjerët. Në të kundërtën sqarimi i detajuar i rastit do ishte ajo që më së paku mund të bëni për shqetësimin e ngritur.

Me keqardhje na duhet të konstatojmë që Maqedonia e Veriut emrin e ndërroi, por veset nuk i harroi!” thuhet në reagimin e ASH-së.