Rafael Nadal avancon në raundin e tretë të grand slamit të parë të vitit, Australian Open. Numri 2 në botë imponua 3-0 me sete, (6-3, 6-2, 6.2) australianit Matthew Ebden. Një ndeshje e dominuar dhe fituar pa shumë probleme nga Nadal, që pati epërsi në të tre setet, duke konfirmuar se problemet fizike të ditëve të para të janarit tashmë janë lënë pas.

U kualifikua për më tej edhe bullgari Grigor Dimitrov, që mposhti 3-1 me sete (6-3, 6-7, 6-3, 7-5) uruguaianin Pablo Cuevas në një ndeshje që dhuroi emocione. Amerikanojugori u mundua të rezistonte, por e pati të pamundur të mposhtte tenistin ballkanas.

Më herët kishte siguruar avancimin edhe Roger Federer, që kaloi 3-0 me sete (7-6, 7-6, 6-3) britanikun Evans.

Te femrat spikati fitorja e ish-kampiones së këtij turneu, gjermanes Angelique Kerber. Ish-numri 1 në botë mundi 2-0 me sete (6-2, 6-3) brazilianen Beatriz Maia. Ndërsa çekja Petra Kvitova mposhti po 2-0 (6-1, 6-3) rumunen Irina Begu. Belinda Bencic e Zvicrës fitoi 2-1 ndaj kazakes Yulia Putintseva (7-5, 4-6, 6-2), duke avancuar më tej.