Tridhjetë njësitet territoriale në Maqedoni posedojnë 220 automjete zjarrfikëse vjetërsia mesatare e të cilave është 27 vite, tregon analiza e Qendrës për Komunikime Qytetare, njofton Koha.

Prej gjithsej 220 automjeteve 154 janë të prodhuara në shekullin e kaluar. Më të vjetrat janë nga viti 1966 të cilat i posedojnë Strumica nga marka “fap 13” dhe Vallandova nga marka “tam 5500”.

Nga kjo Qendër bëjnë krahasim duke theksuar se ministritë dhe komunat kanë në dispozicion 2645 automjete, që nënkupton se në çdo të 12-in automjet vjen nga një automjet special zjarrfikës. Për dallim nga automjetet e udhëtimit të cilat kryesisht blihen nga paratë e buxhetit, pjesa më e madhe e automjeteve speciale zjarrfikëse janë fituar si donacione. “Te automjetet e udhëtimit ka situatë të kundërt, ndërsa 71 për qind janë blerë në mileniumin e ri. Përkundër 27 viteve të automjeteve zjarrfikëse, ato të udhëtimit janë të vjetra 12,5 vite”, theksojnë nga Qendra.

Automjetet në Kratovë janë më të vjetrat – me vjetërsi mesatare prej 39 viteve, përderisa veturat më të reja i ka Velesi – me vjetërsi mesatare prej 18 viteve. Krahas Kratovës, vjetërsi mesatare më të madhe se 30 vite kanë automjetet e njësiteve zjarrfikëse në : Manastir, Gjevgjeli, Kriva Pallankë, Krushevë, Ohër, Sveti Nikole, Strugë dhe Strumicë.

Në analizën është theksuar se në bazë të numrit të banorëve, më shumë automjete ka njësiti territorial i Qytetit të Shkupit me 47 automjete, mesatarisht 26 vite.

Vijon Manastiri, njësiti territorial i të cilit i mbulon edhe Novacin dhe Mogillën, me 13 automjete, me vjetërsi mesatare prej 30 viteve. Në grupin e njësiteve territoriale zjarrfikëse me më shumë 10 automjete bën pjesë edhe Strumica, e cila i mbulon edhe komunat Bosilovë, Vasilevë dhe Novo Sellë, me 12 automjete, të vjetra mesatarisht 30 vite.

Më së paku, nga tri automjete kanë njësitet territoriale në Demir Hisar mesatarisht të vjetra 28 vite, Kavadar 25 vite, Kratovë 39 vite, Krushevë 38 vite dhe Makedonski Brod 21 vite.

“Për shkak të vjetërsisë së automjeteve, një pjesë e madhe e komunave nuk posedojnë aspak të dhëna për vlerën e këtyre automjeteve. Prej 220 automjeteve, të dhëna për vlerën ka vetëm për 77 automjete. Ato, kur janë blerë ose ishin fituar si donacion, kanë kushtuar 2.975.318 euro, gjegjësisht vlera mesatare e një automjeti ishte 38.640 euro”, theksohet në analizë.

Baza e të dhënave të të gjitha automjeteve zjarrfikëse është përgatitur në bazë të të dhënave të siguruara nga 30-të njësitet territoriale zjarrfikëse, në bazë të kërkesës së dorëzuar për informacione me karakter publik.

Në bazë të Ligjit për zjarrfikës, njësite territoriale zjarrfikëse formojnë Qyteti i Shkupit dhe komunat: Manastir, Veles, Gjevgjeli, Gostivar, Koçan, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strumicë, Tetovë, Shtip, Resnjë, Kavadar, Vallandovë, Dibër, Berovë, Vinicë, Dellçevë, Kriva Pallankë, Kratovë, Strugë, Kërçovë, Krushevë, Makedonski Brod, Radovish, Sveti Nikolla, Probishtipi, Demir Hisari dhe Negotina.

Loading...