Avokati i Popullit Ixhet Memeti theksoi se institucioni i tij mund të kërkojë shqyrtimin e obduksionit të pjesëtarëve të grupit të Kumanovës, pas dyshimeve të ngritura në media, por duhet të ketë një kërkesë nga familjet e viktimave. Memeti inkurajon familjarët që nëse dyshojnë për lëshime në ekspertizën e kryer, t’i drejtohen Ombudsmanit me kërkesë zyrtare për hapjen e procedurës hetimore.

“Kohëve të fundit dëgjoj nëpër media se paraqiten dyshime të caktuara edhe në punën apo raportin e ekspertizës. Nëse familjarët kërkojnë nga Avokati i Popullit dhe dyshojnë në punën e Institutit për Mjekësi Ligjore, gjithsesi se mund të hapim procedurë dhe ta hetojmë si rast se a është bërë ekspertiza apo obduksioni konform rregullave dhe procedurave të parapara”, deklaroi për Tv Shenja, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti

Memeti thekson se përveç shqyrtimit të ekspertizës tashmë të kryer nga Instituti për Mjekësi Ligjore në Maqedoni, Ombudsmani mund të kërkojë edhe obduksion të ri plotësues dhe të pavarur.

“Avokati i Popullit ka edhe mundësi tjetër që nëse vjen në konstatim se një ekspertizë nuk është objektive, mund të kërkojë edhe ekspertizë plotësuese”, shtoi Memeti.

Reagimet e Avokatit të Popullit vijnë pasi obduksioneve të Beg Rizajt dhe Arben Rexhajt të publikuara nga televizioni Shenja, u mungonin të dhëna elementare për rrethanat e vdekjes së tyre. Ato dëshmonin vetëm se të dy, Rizaj dhe Rexhaj janë vrarë në mënyrë identike, me plumb në kokë thuajse në lartësinë e njëjtë. Megjithatë nuk precizohet afërsia prej së cilës është hapur zjarri dhe as koha e vdekjes së tyre.