Kryetari i partisë pro ruse “Maqedonia e Bashkuar” Janko Baçev, ka përdorur retorikë të ashpër kundër liderëve shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë, gjatë protestës kundër ndryshimeve kushtetuese që u mbajt para ndërtesës së Kuvendit, shkruan Gazeta Lajm .

Në fjalimin e tij para të pranishmive, Baçev, kritikoi ashpër kryeministrin Zoran Zaev, për të cilin tha se është i rrethuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili sipas tij, njihet si dileri kryesor i mariuhanës në rajon dhe nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, të cilin Baçevi e ka quajtur diler të organeve njerëzore, shkruan Gazeta Lajm.

Lideri pro rus Janko Baçev ka sulmuar me fjalë fyese edhe liderët e shteteve tjera fqinje si dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare që kanë kontribuar në zgjidhjen e problemit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Ai ka ftuar qytetarët të mos lejonë të miratohen ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe të mos lejohet anëtarësimi i vendit në NATO.

Baçev edhe në të kaluarën ka përdorur retorikë raciste ndaj shqiptarëve, por fjalori i tij asnjëherë nuk është dënuar dhe ndaj të njejtit nuk janë marrë masa.

Mbetet të shihet nëse përfaqësitë e Shqipërisë dhe Kosovës do të reagojnë ndaj ofendimeve të rënda dhe pa fakte, nga politikani pro rus Janko Baçev ndaj kryeministrit shqiptar dhe presidentit kosovar.

Në protestën e organizuar nga organizata “Maqedonia bllokon” ka marrë pjesë edhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski /Gazeta Lajm & Lajm.tv