Do jetë Barcelona-Valencia finalja e Kupës së Mbretit që do të zhvillohet në 25 maj në stadiumin Benito Villamarin në Sevilla. Real Betis humbi mundësinë për të qenë prezente në finalen që do të zhvillohet në shtëpinë e saj. Pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë, Valencia triumfoi 1-0 në Mestalla me një gol të sulmuesit Rodrigo në minutën e 56-të dhe me rezultat të përgjithshëm 3-2 eliminoi Real Betis dhe shkoi për herë të 17-të në finalen e Kupës së Mbretit, aty ku mungonte që nga sezoni 2007-2008 kur mposhti 3-1 Getafen duke fituar trofeun. Tashmë skuadra e Marcelino Garcia Torral do të ketë përballë Barcelonën, në një finale shumë të vështirë, por në të cilën, Los Che do të bëjnë maksimumin për ta fituar.