Barcelona rrëmbeu pjesën më të madhe të cmimeve duke dominuar mbrëmjen “gala” Globe Soccer Awards që zhvillohet cdo fund viti në Dubai. 12 muaj më parë ishte Reali i Madridit që u shpërblye për triumfin në Champions duke kurorëzuar në këtë ceremoni festive emra të tillë si” Cristiano Ronaldo, Carlo Ancelotti, James Rodriguez dhe Florentino Perez ndërsa këtë radhë në Emiratet e Bashkuara Arabe ashtu sic pritej FC Barcelona iu vodhi skenën të gjithëve falë sezonit të shkëlqyer dhe fitimit të pesë trofeve gjatë vitit 2015, duke humbur vetëm Superkupën e Spanjës në përballjen me dy takime me Athletic Bilbaon. Cmimi më i rëndësishëm, ai i futbollistit më të mirë të vitit ishte edhe cmimi që mbylli mbrëmjen dhe juria e përzgjedhur kurorëzoi Lionel Messin, që mundi në këtë konkurrim dy kandidaturat e tjera Gianluigi Buffon dhe Cristiano Ronaldo. Barca mori katër cmimet e fundit të mbrëmjes, përfshirë edhe cmimet si klubi më i mirë i vitit si dhe atë si klubi më i pëlqyer nga mediat, ndërkaq cmimin e presidentit më të mirë të vitit 2015 natyrisht e meritoi presidenti i 40 i Barcelonës Josep Maria Bartomeu.

Trajneri më i mirë i vitit u shpall trajneri i Belgjikës Marc Wilmots, i cili u vlerësua për ngjitjen e përfaqësueses së “djajve të kuq” në vendin e parë, në klasifikimin e FIFA-s. Me cmimin e karrierës u vlerësuan dy futbollistë që janë në vitet e fundit të karrierës, që konsiderohen si dy ndër lojtarët më të mëdhenj të brezit të tyre në mesin e fushës, dy futbollistë që kanë parapëlqyer për të vazhduar karrierën e tyre përtej oqeanit, në Major League Soccer, madje me të njëjtin ekip New York City. Bëhet fjalë për Andrea Pirlon që vlerësoi si kulmin e karrierës fitimin e Kupës së Botës në vitin 2006, ndërkaq Frank Lampard pa mëdyshje zgjodhi mbrëmjen e 19 majit të vitit 2012 si arritjen më të madhe, kur me Chelsea-n mundi Bajernin brenda në Mynih pas ekzekutimit të 11-metërshave. 23-vjecari nga Arabia Saudite Yasir Alshahrani që luan në radhët e klubit Al – Hilal u shpall si futbollisti më i mirë i vitit nga lojtarët e Gjirit Persik, ndërsa arbitri Irmatov nga Uzbekistani mori cmimin e gjyqtarit më të mirë të vitit 2015.

Mbrëmja Gala nisi me kurorëzimin e Benfica-s që fitoi Cmimin Akademia më e Mirë e Vitit, ndërsa Jorge Mendes vazhdon të jetë i pamundur në Dubai, pasi 50-vjecari portugez koleksionoi për të gjashtin vit radhazi cmimin e menaxherit më të mirë të vitit, konkurrim ku mes 5 kandiadaturave të përzgjedhura bënte pjesë edhe menaxheri i mirënjohur me origjinë shqiptare Fali Ramadani. Ky ishte edicioni i 6 i Globe Soccer Awards, sidoqoftë cmimet që vlejnë do të shpërndahen në fillim të vitit të ardhshëm, më 11 janar, në Sallën e Kongreseve në Zyrih kur do të organizohet edhe mbrëmja Gala e FIFA Ballon d’Or.