Sekretari i Këshillit të Komunës së Dibrës e ka ankimuar vendimin e këshillit, në të cilin këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Eugjen Cami u zgjodh kryetar i përkohshëm i komunës, pas ndarjes nga jeta e ish kryetarit Ruzhd Lata.
Sipas tyre, ankesa është dorëzuar deri te Inspektorati shtetëror për pushtet lokal, ku kërkohet të anulohet votimi.
Burime nga komuna thonë se prapa kësaj ankese në fakt qëndron BDI-ja, e cila nuk kishte pritur se një këshilltar nga radhët e partie tjetër do të zgjedhet për kryetar të përkohshëm. Në BDI as konfirmojnë, e as demantojnë.
Mirëpo informacionin se vendimi është ankimuar, për Gazetën Lajm e ka konfirmuar vetë kryetari i përkohshëm i Dibrës, Eugjen Cani.
“Ankesa është se nuk është votuar për kandidatët tjerë. Mirëpo pse ka nevojë të votohet për kandidatët tjerë, kur unë si kandidat i parë sigurova shumicën e votave”, thotë Cami për Gazetën Lajm, duke shtuar se në ndërkohë sekretari i këshillit ka dhënë dorëheqje.
Ai shton se është i bindur që edhe Inspektorati do të konstatojë se procedura ka qenë në rregull.
“Ishte inspektori, u interesua për procedurën. I sqaruam se gjithçka ka qenë në rregull edhe ai u pajtua. Tani mbetet të shohim vendimin zyrtar, me siguri do të dihet brenda 10 ditëve”, thekson Cami.
Në ndërkohë ai shton se punët në komunë janë duke u zhvilluar pa pengesa dhe se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme të mos ketë ngecje nga të cilat mund të pësojnë qytetarët e Dibrës, ose të punësuarit e komunës.