Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi ka kritikuar kryetarin e PS Edi Rama dhe ka mbështetur protestën e disa anëtarëve socialistë para selisë rozë kundër Ramës për zgjedhjet brenda Partisë Socialiste.

Blushi ka kritikuar Ramën se prej 3 vitesh nuk bën zgjedhje në parti dhe e ka krahasuar me diktatorin Enver Hoxha, dhe shtoi se edhe ky i fundit bënte zgjedhje një herë në 4 vjet. Deputeti “rebel” socialist përmendi edhe shtyrjen e Kongresit të PS, për të cilën tha se edhe karnavalet kanë një datë, kurse Kongresi i PS nuk dihet se kur do të mbahet.

Sa i përket koalicionit qeverisës, Ben Blushi theksoi se qeverisja PS-LSI nuk është stabël, ekonomia është në gjendje të keqe dhe Partia Socialiste po kalon një moment kritik. Ai theksoi gjithashtu se nuk është i vetmi deputet që ngre zërin kundër këtyre pakënaqësive, edhe pse deri tani vetëm ai deklaron hapur qëndrimin e tij.

“Ka që në 2009 që nuk ka zgjedhje në PS. Edhe karnavalet e kanë një datë, ky Kongresi i PS u bë si kometë, nuk dihet kur do bëjë mbledhje. PS është në një moment kritik sot, koalicioni jonë nuk është më stabël, është e domosdoshme të ketë zgjedhje për kryetarin e partisë. Kryetari i PS është ndoshta i vetmi kryetar që ka një mandat 7-vjeçar. Edhe Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, zgjidhej çdo katër vjetë. Formalisht, por ama zgjidhej. PS-ja është e vetmja parti pa mandat kryetari”, u shpreh deputeti i PS.

Blushi mohoi se në pushtet është Partia Socialiste, por sipas tij është Rilindja. Ai madje bëri një krahasim me koncesionet e Qeverisë, duke thënë se PS fitoi zgjedhjet dhe Rilindja fitoi koncesionin për të qeverisur.

“Nuk besoj se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme. Duhet të ketë një normë që grupi parlamentar të njohë ç’bën qeveria. Thuhet me status se zgjedhjet bëhen në 4 vjet, ndërkohë që nga 2009-a s’ka zgjedhje. 7 vet pa kongres. Ju, ju mendoni, që jam i vetmi që mendoj kështu, por nuk është kështu; edhe 2-3 kolegë folën për të njëjtën gjë. Shëtisni nëpër Shqipëri dhe shikoni njerëz që duan zgjedhje në PS, jo këtë formë drejtimi koncesionar, privatizimi. Në fakt s’po dimë se kush po qeveris, Rilindja apo PS-ja, se Rilindja ka falimentuar”, deklaroi deputeti Blushi.

Interesimit të gazetarëve nëse do të kandidojë për postin e kryetarit të PS, Blushi sqaroi se do ta shpallte një gjë të tillë kur të mbahen zgjedhjet.

Loading...