Me anëtarësimin e vendit në NATO, Armata e Maqedonisë do të përfitojë mundësi të shumta për të profesionalizuar dhe trajnuar ushtrinë në vendet e tjera anëtare të NATO-s, thotë zëvendësministri i mbrojtës, Bekim Maksuti. Ai thotë se po punohet intensivisht në përgatitjen e armatës që pjesëtarët e ARM-së të jenë të gatshëm për kryerjen e detyrave specifike që do t’i kërkojë NATO në teren.

“Një herë e përgjithmonë do të jemi pjesë e vendimmarrjeve, do të jemi pjesë e trajnimeve, e ushtrimeve për të krijuar ndër operatibilitet për të gjithë pjesëtarët e armatës që organizohen nëpër të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Kemi diku rreth 20 trajnime vjetore të cilat organizohen në vende të ndryshme të NATO-s dhe që Republika e Maqedonisë ka marrë pjesë në këto trajnime, në disa vende si vëzhguese e në disa si partnere, mirëpo tani ndryshon statusi i pjesëmarrjes, sepse tani më do të jemi pjesëmarrës direkt edhe në vendimmarrje brendapërbrenda këtyre trajnimeve”,- deklaroi zëvendësministri i mbrojtës, Bekim Maksuti.

Përgatitja e armatës së vendit sipas standardeve të NATO-s ka edhe koston e vet financiare, thekson Maksuti, sipas të cilit do të nevojitet buxhet vjetor prej së paku 2% e bruto prodhimit vendor, gjë që për momentin armata nuk e ka.

“Maqedonia ndoshta nuk ka kapacitet të tillë që përnjëherë t’i kryejë të gjitha këto obligime të cilat i kemi marrë ose ia kemi ngarkuar vetës, apo në një farë forme si këshilla dhe rekomandime që na i ka dhënë NATO. Po ka një plan i cili ka filluar që vitin e kaluar dhe besojmë në një të ardhme më të mundshme që t’i kryejmë. Në procedurë e sipër i kemi edhe rishikimin e mundshëm për mjetet e blinduara, automjetet të cilat do të duhet të jenë ose që janë parakusht, dhe është bazë e asaj që e themi që paraqet bërthamën e vendit tonë dhe forcave të armatosura që të jemi të barabartë me NATO-n. Shpresojmë se këtë vit do të fillojmë me këto procedura”,- deklaroi zëvendësministri i mbrojtës, Bekim Maksuti.

UNIFORMAT E ARMATËS NË SHQIP, NË PIKËPYETJE!?

Sa i përket mundësisë për përdorimin e gjuhës shqipe edhe në uniformat e ARM-së, zëvendësministri Maksuti thotë se për këtë pritet mendimi i Komisionit të Venecias.

“Nuk është çështje që nuk dëshiron dikush uniforma në gjuhën shqipe, edhe ashtu deri më sot edhe pse nuk kemi pasur ne ligj për gjuhën shqipe, emri i çdo pjesëtari, sidomos e atyre shqiptarë, ka qenë i shkruar edhe me alfabet latin, me germa shqipe, e tani të shohim të ardhmen se si do të jetë vendimi nga Komisioni i Venedikut për këtë çështje dhe do të ndërtojmë politikat e mëtutjeshme”,- u shpreh zëvendësministri i mbrojtjes, Bekim Maksuti.

Përfaqësimi i shqiptarëve në armatë deri në këto momente, sipas Maksutit, ka arritur në 19%, numër ky i cili me hapjen e konkurseve të reja për punësim të ushtarëve profesionalë pritet të rritet. (TVM2)

Loading...