Mbrëmë Lëvizja BESA shënoi njëvjetorin e rrugëtimit të saj në politik, ku pjesëmarrës ishin anëtarët e këshillave komunalë të kësaj Lëvizje, përfaqësues të partive opozitare shqiptare, si dhe persona publikë nga Maqedonia. Mirëpo në këtë manifestim munguan disa përfaqësues të Këshillit Nismëtarë për themelimin e Besës, transmeton “Lajm”. Si; njoftojnë disa mediume, ende pa u bë një vit nga themelimi i Besës, te disa anëtarë të Këshillit Themelues janë paraqitur pakënaqësi për shkak të mënyrës së funksionimit të saj dhe ata janë larguar nga Besa. Në ndërkohë janë duke u bë përpjekje për rikthimin e tyre, mirëpo ende nuk dihet nëse këto përpjekje do të kenë sukses.

Në shënimin e njëvjetorit, fillimisht fjalën e mori kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i cilit ndër të tjera tha, “Të nderuar, jam shumë i nderuar që po takohemi sërish më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit Shqip dhe në ditën e themelimit të Lëvizjes BESA. Prandaj më lejoni që të gjithë shqiptarëve kudo që janë t’jua uroj festën e madhe të alfabetit, duke uruar që kjo festë të jetë një reflektim i gjithmbarshëm i joni për rëndësinë e shkrimit, të fjalës dhe të gjuhës amtare. Natyrisht, këtë festë e zbeh fakti që as në vitin 2015 gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni, por shpresojmë se kjo në të ardhmen do të korrigjohet.  Po ashtu më lejoni që të gjithë aktivistëve dhe simpatizuesve të Lëvizjes BESA t’Jua uroj edhe ditëlindjen e parë të BESËS, njëherazi duke i falënderuar për të gjitha përpjekjet që i kanë bërë në ngritjen, promovimin dhe afirmimin e Lëvizjes BESA”.

Më tutje me disa pika muzikore performoi grupi DUO SCUPI me artistët Jeta Starova dhe Ermal Memeti, kurse më pas u bë një video-prezantim i aktivitetet dhe ecurisë njëvjeçare të BESËS.