Me rastin e festës ortodokse “Uji i Bekuar”, në mesditë në ujërat e lumit Vardar rreth 140 kandidatë u përpoqën në kapjen e kryqit të hedhur nga kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, kryepeshkopi Stefan, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e hedhjes së kryqit u ndoq nga mijëra qytetarë të Shkupit, ndërsa në mesin e 140 kandidatëve që notuan në ujërat e ftohta të lumit Vardar për kapjen e kryqit, më i shpejtë ishte Kristijan Ninevski nga Shkupi, i cili arriti ta kap kryqin.

Ninevski për herë parë arriti të kap kryqin, ndërsa tashmë gjashtë vite me radhë merr pjesë në manifestimin që organizohet në Shkup, me rastin e kësaj feste ortodokse.

“Shëndet dhe lumturi për të gjithë”, tha Ninevski pasi kapi kryqin.

Në Shkup u festua Dita e “Ujit të Bekuar”

Ceremonia e kapjes së kryqit mbahet edhe nëpër shumë vendbanime të tjera në të gjithë Maqedoninë.

Sipas besimtarëve ortodoks hedhja e kryqit do të thotë bashkimi me Krishtin dhe besohet se ai që arrin të kap kryqin do ta ndjek mirëqenia, shëndeti dhe fati gjatë gjithë vitit. Kjo festë lidhet me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan dhe Shën Jovani, i cili atëherë quhej Pagëzuesi.

Dita e hedhjes së kryqit – 19 janari, që tradicionalisht organizohet në shumë qytete të Maqedonisë, në pajtim me Ligjin për festa të Maqedonisë është ditë jopune për besimtarët ortodoks.