Komisioni parlamentar në Kosovë që po heton dëbimet e paligjshme të disa shtetasve turq në Kosovë në mars të vitit të shkuar, pretendon se Agjencia kosova e Inteligjencës (AKI), në mënyrë efektive drejtoi të gjithë operacionin.

“AKI mori autoritetin e policisë … AKI hyri në zyrat e policisë dhe menaxhoi plotësisht një operacion që, me ligj, ishte krejtësisht i ndaluar”, tha për BIRN nënkryetari i komisionit, Driton Selmanaj.

Ai tha se dy agjentë të AKI-së hynë në zyrat e policisë, morën listën e punonjësve të policisë që ishin në punë, duke marrë numrat e tyre të telefonit, pas të cilës “këta oficerë të policisë nuk komunikuan me komandantët e tyre por me agjentët e AKI”.

Selmanaj tha se të dy agjentët e AKI e drejtuan të gjithë operacionin. “Ky është një skandal në vetvete, sepse tregon se shërbimi sekret ka kapur institucione të tjera [shtetërore],” shtoi ai.

Të gjashtë turqit të deportuar marsin e kaluar kërkoheshin nga Ankaraja nën akuzë për lidhjet e dyshuara me klerikun turk, Fethullah Gulen.

Turqia e quan atë “Organizatë Terrori Fethullahist”, ose FETO, dhe e fajëson atë për grushtin e dështuar të shtetit në korrik të vitit 2016.

Ditën kur operacioni u krye, kryeministri Ramush Haradinaj tha se qytetarët turq ishin deportuar pa dijeninë e tij.

“Si kryeministër, unë nuk isha i informuar për këtë operacion”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Duke pretenduar se kishte ndodhur keqpërdorimi i policisë dhe agjencisë së inteligjencës, Haradinaj kërkoi heqjen e kreut të AKI-së, Driton Gashit dhe Ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj.

Selmanaj, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, tha për BIRN se kolonel Rrahman Sylejmani dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë në këtë rast e kishin konfirmuar këtë version të ngjarjeve.

“Asgjë nuk ishte në duart e mia,” citoi Selmanaj, Sylejmanin.

Raporti thotë se policia u informua në takim se lejet e qëndrimit për pesë shtetasit turq, që kishin leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë – ishin revokuar. Leja e shtetasit të gjashtë turk kishte skaduar, por në kohën kur u arrestua ai kishte aplikuar për rinovimin e saj.

Gjatë takimit, zyrtarët e AKI u thanë gjithashtu të tjerëve se kishin “finalizuar aranzhimet e transportit ajror”.

Kur Shaban Guda, drejtor i Policisë Kufitare u pyet nëse policia ishte përfshirë në sigurimin e biletave të aeroplanëve për turqit e dëbuar, ndër të tjera, raporti thotë se ai u përgjigj: “Nuk e bëmë këtë sepse agjencia e inteligjencës kishte bërë të gjitha rregullimet për ta”.

Kryetari i komisionit parlamentar, Xhelal Svecla, deputet nga partia opozitare Vetëvendosje, tha për BIRN-in se deportimet e fshehta kanë shkelur rëndë sovranitetin e Kosovës.

“AKI nuk është një institucion që duhet të kryejë operacione të tilla … por në këtë rast ata organizuan dhe koordinuan operacionin, si dhe transferimin [e gjashtë] në duart e shërbimit sekret turk,” tha Svecla.