Më shumë se një muaj grupet punuese nuk kanë biseduar për çështjen e mediumeve. Ndërkaq pa pastrimin e çështjes së mediave nuk do të ketë kushte për zgjedhjet, njofton Portalb.

Me javë të tëra nuk ka kurrfarë takimi ndërpartiak për çështjen e mediave, brifojnë burime të cilët janë të kyçura në grupet punuese. Takimet e fundit kanë qenë para 24 janarit, në ditën kur partitë u morën vesh që zgjedhjet të shtyhen më 5 qershor, ndërkaq kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruvski doli me qëndrim se ka marrë premtime se nuk do të ketë ligj të ri për mediat.

Ndërmjetësi belg Piter Vanhojte, më 18.02.2016 konfirmoi se partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me rregullimin e mediumeve, transmeton Portalb.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se kush është fajtor për dështimin e bisedimeve, Vanhojte tha se në to kanë marrë pjesë katër partitë politike dhe se të gjithë kanë përgjegjësi për këtë mossukses.

Pas dështimit të bisedimeve, Vanhojte në profilin e tij zyrtar në Twitter në mëngjes ka publikuar një fotografi me një mace të vrenjtur, me porosinë:

“Demokracia kërkon kompromis – kërkon njerëz racional – kërkon mendje të shëndoshë – kërkon politikanë kompetentë – kërkon që të jetë në shërbim të popullit”, ka shkruar Vanhojte.

Siç tha lehtësuesi belg, mossuksesi i partive që të arrijnë marrëveshje për mediumet do të ndikojë në vlerësimin që ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në vend duhet ta njoftojnë sot rreth asaj nëse ka kushte për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill.

Ndërmjetësuesi belg, Piter Vanhojte, pastaj, ka pasur takim edhe me përfaqësuesit e Asociacionit të Mediumeve (pesë televizionet nacionale). Ata kanë kërkuar depolitizim të plotë nga Agjencia për mediume, rregullimin e të drejtave të autorit, para dënimit të paralajmërohen dhe dënime racionale për mediumet.

Reforma në media, është njëra nga çështjet kryesore nga të cilat varet vlerësimi i bashkësisë ndërkombëtare që duhet ta bëjnë sot, për atë se a do të ketë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike apo, jo.

Propozimin e bashkësisë ndërkombëtare për reforma në media, deri sa kanë qenë në bisedime, e ka pasur mbështetjen e tre partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, LSDM-BDI dhe PDSH, por jo dhe të VMRO-DPMNE-së. Nga VMRO-DPMNE, kanë thënë që janë kanë qenë të gatshëm të pranojnë kopje të çfarëdo ligjit që vjen nga çfarëdo shtet i Evropës, sipas tyre, propozimi i Vanhojtes është në favor të opozitës.

Van Hojte e komentoi propozimin e VMRO-DPMNE-së duke shtuar se nuk është mirë të kopjohen ligjet e vendeve evropiane dhe të pretendohet se janë të mira, sepse sipas tij, Maqedonia ka sistem të ndryshëm ligjor, tjetër bekgraund dhe origjinë të medias krahasuar me shumë vende evropiane, ai bëri thirrje që për reforma në media, gjegjësisht për përmirësimin e klimës aktuale mediatike.

Propozimin e Vanhojtes e ka mbështetur edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, ku ditë më parë deklaroi se ky propozim është i bazuar në praktikat më të mira evropiane dhe idetë më pozitive të gazetarëve dhe ekspertëve të Maqedonisë.

Përderisa është e ditur thuajse në detaje çfarë kanë kërkuar partitë maqedonase , situata është e mjegulluar te partitë shqiptare. Edhe përkundër tentimeve të Portalb-it për të marrë kërkesat shqiptare të radhitura në mënyrë taksative, partitë shqiptare kanë improvizuar me deklarata të përgjithshme.

Pala shqiptare problemin e sheh tek emërtimet.

Të dy partitë gjatë bisedimeve kanë qenë të mendimit se RTVM, programi i dytë, të jetë 24 orë në gjuhën shqipe, si dhe t’i hiqet “makedonska” (maqedonase) për t’u zëvendësuar me “e Maqedonisë”.

“Kanali dytë të jetë 24 orë në gjuhën shqipe. Radio Shkupi, njëjtë, 24 orë në gjuhën shqipe. Emri të qëndrojë Radio Televizioni i Maqedonisë dhe jo “makedonska”. MIA të ketë redaksi të veçantë në gjuhën shqipe”, tha për Portalb deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Në të njëjtën linjë janë edhe nga BDI. Nga aty na informojnë se:

“Në parim përkrahim propozimet e ndërkombëtarëve dhe atë që rekomandon raporti i progresit. Duke pasur këtu parasysh edhe konsultimet me media dhe gazetar, si dhe kërkesat e mediave në gjuhën shqipe. Radio Televizionin e Maqedonisë ne e kemi në programin tonë zgjedhor nga viti 2014, 24 orë program në gjuhën”.

Propozimi i lehtësuesit belg, Piter Vanhojte:
Në atë propozim që u prezantua përpara gazetarëve, propozohet që anëtarët e Këshillit të Agjencisë për Shërbime Auto dhe Audio-Vizuele, të zgjedhën me 2/3 e shumicës parlamentare pasi që do të paraqiten në konkurs publik. Ata duhet të jenë profesionistë dhe ekspertë, ndërkaq duhet të kenë mbështetje edhe nga organizatat nga sfera e mediumeve.

Anëtarët e zgjedhur do të duhej të kishin mandat prej 5 vjetëve me mundësi për rikandidim. Propozohet që drejtorin e Agjencisë ta emërojë Këshilli.

Në rast të shkeljes së rregullave nga ana e ndonjë mediumi, Këshilli do të fillojë dialog me mediumin, gjatë së cilës masa e parë do të jetë paralajmërimi, ndërkaq licenca do t’i merrej vetëm në rast të shkeljes rigoroze. Në mënyrë të ngjashme do të duhet të zgjedhen edhe anëtarët e Këshillit të RTVM-së, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare propozon që buxheti i Shërbimit Publik, të jetë 1% i buxhetit shtetëror, përcjellë Portalb.

Në lidhje me reklamat qeveritare, propozimi i Vanhojtes parasheh për porositë qeveritare të cilat janë në interes publik, Shërbimi Publik dhe mediumet komerciale të mos fitojnë kompensim parash, por të jenë pa pagesë.

Është propozuar edhe zvogëlimi i tatimit për televizionet komerciale nga 18% në 5%.