Reprezentuesja e Gjermanisë në xhudo, Blerina Seferi (52kg) e ka filluar vitin 2016 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke triumfuar në turneun ndërkombëtar “Sparkassenpokal” që u zhvillua në fundjavë në Jena të Gjermanisë. Deri te medalja e artë, “Shqiponja e Shipkovicës”, erdhi pasi fitoi katër kundërshtaret e saja, ndër to në finale me Ippon mposhti garuesen e papërshtatshme, Marina Youssef.
Me suksesin e arritur ishte e kënaqur edhe “Bleri”, e cila tha se e gëzon fakti se vitin e ka nisur me rezultate pozitive.
“Turneu në Jena ishte mjaft i fortë. Në kategorinë time kisha disa kampione që kanë vlera. Isha e përgatitur mirë, pasi aspak nuk i kam ndërpre stërvitjet gjatë pushimeve të fundivitit, dhe kjo bëri që unë të triumfoj dhe të nisi vitin me plot sukses”, tha Seferi, duke shtuar se ky vit është shumë i rëndësishëm për të, pasi pret të merr pjesë në kampionatin evropian dhe botëror.
“Sivjet kam disa aktivitete të rëndësishme që ndoshta edhe do të më ndryshojnë jetën. Do të jap maksimumin që t’ia arrij qëllimit që të fitoj medalje evropiane ose botërore”, tha Blerina Seferi, e cila së shpejti do të vendos se cilin klub do ta prezantoj në Ligën Gjermane.
“Kam disa oferta interesante për tu paraqit në ligën e parë të Gjermanisë, por akoma nuk kam vendos për të ardhmen time. Këtë vendim do ta marrë shumë shpejt pas bisedave që do t’i kem edhe me prindërit e mi, që gjithnjë më mbështesin”, tha ish kampionia ballkanike dhe fituesja e shumë medaljeve vendore dhe ndërkombëtare, Blerina Seferi.