RAMADAN RAMADANI

Ndonëse dita e premte, ishte një ditë plotë me lajme të mira gjithandej si iniciativa për dekriminalizim të politikës në Shqipëri dhe publikimin e kritereve për liberalizim të vizave në Kosovë, sërish na duhet të veçojmë lajmin e mirë për protestën masive dhe të suksesshme në Tetovë kundër  ndotjes së ajrit.  Ky veçim dhe nënvizim nuk është vetëm në saje të suksesit të artikulimit një kauze aq abstrakte në dukje si ajri, meritë kjo që ju takon përgjatë gjithë vitit dy organizimeve qytetare nga Tetova: Eco Guerrila dhe “Nëna dhe Fëmija”, por edhe ngase kjo kauzë na përket krejt qytetarëve të Maqedonisë.

Përpos suksesit të konkretizimit të kauzës për një gjë aq të paprekshme si ajri këtyre iniciativave qytetare ju takon merita për masivizimin aq të madh dhe që arritën të dëshmojnë se ndonëse qytetarët mund të jenë të ndarë, të habitur dhe apatik ata dinë të njohin dhe mblidhen rreth iniciativave të vërteta të aktivizmit qytetar për dallim të disa tjerave që bëhen shpesh vetëm për qëllim të dukjes dhe projekteve.

Për lavdërim është edhe aktivizimi i elitës kulturore dhe shoqërore të Tetovës dhe të tjerë të cilët njohën momentin e patjetërsueshëm të kyçjes dhe aktivizimit për këtë kauzë.

Njashtu duket se edhe kyçja me përkrahje e partive opozitare ishte vendimtare për mospolitizimin e saj. Paradoksale, por e saktë. Mu kyçja me përkrahje e këtyre partive ishte sebep që partia në pushtet të mos e përdorë politikisht dhe partiakisht protestën dhe të tenton të shfajësohet nga gjithë ky zullum të cilin e ka bërë ndaj ambientit, njerëzve dhe ajrit. Uroj që partitë opozitare të kenë mësuar nga kjo dje se mënyra më e mirë për të bllokuar dhe demaskuar BDI-në që të mos aktrojë opozitarizëm në pozitë dhe sillet si shoqatë është që ato vet të përkrahin krejt pakënaqësitë qytetare që do kenë qytetarët në Maqedoni.

Një prej sqarimeve etimologjike të prejardhjes së toponimit Tetovë është edhe se i njëjti  është bërë në tetë hove (8 hove). Duket dhe urojmë që këtë herë do kryhet puna me vetëm dy-tre hove. Bravo Tetova!

Loading...