Gjykata e Qarkut në Oslo tha se do të mbajë një seancë ku do të merret në pyetje terroristi i dënuar për vrasje masovike Anders Behring Breivik mbi padinë që ka ngritur kundër qeverisë së Norvegjisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Breivik ndodhet në burg dhe është dënuar me 21 vjet heqje lirie për sulm dhe vrasjen e 77 personave, i kryer në sulmin e tij të përgjakshëm në vitit 2011.

Ai ka paditur qeverinë norvegjeze për shkeljet e pohuara të të drejtave të njeriut, sepse, siç u shpreh ai në ankesë, po mbahet në izolim në burgun Skien, në jug të Norvegjisë.

Zëdhënësja e gjykatës Irene Ramm, tha se gjykimi katër-ditor do të mbahet në burg për arsye sigurie, dhe që do të fillojë më 15 mars. Administrata e burgut hedh poshtë pohimet e Breivikut për shkeljen e të drejtave të tij.

Breivik u dënua për vrasje masive dhe terrorizëm pas sulmit në ndërtesën e qeverisë në Oslo dhe në kampin rinor të Partisë majtiste të punëtorëve në ishullin Utoya në vitin 2011.