Burime nga partia “Alternativa” e Afrim Gashit, thonë se kanë qenë të shantazhuar nga qarqe ekstremiste maqedonase me emrin e partisë për të hequr dorë nga 35 përqindëshi i mjeteve të kulturës të ndara përprojekte shqiptare.
“Qarqe ekstremiste maqedonase të strehuara në gjyqësor, e të afërta me VMRO-në, DBI-në, shërbimet sekrete dhe me Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, me mish e me shpirt u munduan të na bindin të heqim dorë nga 35 përqindëshi i mjeteve që ministria e Kulturës i ndau për projekte shqiptare. Këto qarqe ishin të shqetësuara, sepse pas ndarjes së 35 për qind të mjeteve nga ministri Asaf Ademi edhe ministrat e BDI-së gjenden nën presion të ndajnë më shumë mjete për projekte shqiptare, e jo 3-4 për qind sikurse deri tani. Ata na garantuan se nëse heqim dorë nga 35 për qindëshi i mjeteve të Ministrisë së kulturës, do të na sigurojnë emri Lëvizja Besa të na takojë neve, mirëpo ne refuzuam kategorikisht. Pas diskriminimit shumëdekadësh, projektet shqiptare meritojnë shumë më tepër se 35 për qind”, kanë thënë nga partia Alternativa, duke shtuar se “betejën për Lëvizjen Besa do ta vazhdojmë edhe më tutje deri në Strasburg”.

“Maqedonia nuk humb, por vetëm fiton nëse shqiptarët marin 35 përqindëshin merituar të mjetevë buxhetore. Me këtë humbin vetëm qarqet ekstremiste maqedonase të cilat janë të afërta me Serbinë”, theksojnë nga ky subjekt.

Ndërkohë anëtarësia e “Besës së Afrim Gashit” po e përkrah fuqimisht vendimin e liderit të kësaj partie për emërim të subjektit me emrin “Alternativa”.
“Respekt për Afrim Gashin, liderin që me një goditje të vetme diti të nxjerrë subjektin nga kurthi që ia kishin përgatitur armiqtë e shqiptarëve. Vetëm me një vendim të mençur, të sjellur në vendin dhe momentin e qëlluar, Gashi e nxori partinë nga rrethi vicioz ku armiqtë tanë mendonin se do të sillemi me vite.
Me një vendim të vetëm, Afrim Gashi u doli nga haku dhjetëra mijëra anëtarëve e simpatizuesve, që ishin në pritje të Alternativës së vërtetë e cila shqiptarëve do t’ua sjellë 35 për qindëshin e merituar.
Një Alternativë ku Besa dhe Autoktonia bëhen bashkë, për t’i dhënë fund nënçmimit që u bëhej deri tani shqiptarëve me 2-3 për qind të mjeteve buxhetore.
Ju mund të na goditni sa të doni. Goditjet tuaja të ulëta nuk na pengojnë fare, por vetëm na forcojnë edhe më shumë për ta çuar amanetin në vendin e vet. Besën e kemi Amanet. Alternativën ia kemi borxh ardhmërisë”, ka shkruar anëtari i lartë i kësaj partie në degën e Kumanovës, Mesud Bajrami.