Tashmë janë 10 fitore radhazi. San Antonio Spurs vijon ecurinë fantastike në këtë sezon teksa koleksionoi një tjetër sukses. Viktima radhës për Spurs ishte Cleveland Cavaliers që në AT Center u mund me shifrat 99-95 nga skuadra e Gregg Popovich. Toni Parker me 24 pikë dhe Kaëhi Leonard me 20 pikë të realizuara ishin dy basketbollistët më të mirë mbi parket për San Antonion. Në krahun tjetër 22 pikët e Lebron James, nuk i mjaftuan formacionit nga Ohio për të evituar këtë disfatë. Rikthehet te suksesi Golden State Warriors që në Oakland kaloi pa shumë vështirësi Los Angeles Lakers. 116-98 ishte rezultati që prodhoi dueli i Oracle Arena, me Golden State-in që iu fal paraqitjes së Steph Curry i cili realizoi 26 pikë ndërsa ndihmoi të tijët 6 rebound dhe 3 asiste. Te Lakers Jordan Clarkson dhe Lou Williams u munduan të merrnin për dore skuadrën kaliforniane por pa mundur të evitonin dot humbjen e 32-të sezonale të Lakers-ave. Monstruoz Jimmy Butler. 26-vjecari nga Texasi u ktheu në vëmendje tifozëve të Chicagos periudhën kur pjesë e Bulls-ave ishte një legjendë si Michael Jordan. Plot 53 pikë 10 rebound dhe 6 asiste koleksionoi në total Butler duke rikthyer skuadrën nga Ilinois te fitorja pas tre humbjesh radhazi. Në Pensylvani, Chicago mundi pas kohës shtesë me rezultatin 115-111 vendasit e Philadelphia 76-ers, me Butler-in që pasi hyri në histori disa javë më përpara duke realizuar 40 pikë vetëm në një pjesë loje, ndaj Philadelphias arriti edhe kuotën më të lartë të pikëve në karrierë. Një sukses të rëndësishëm arriti edhe Memphis Grizzlies që në Tennesse triumfoi me rezutlatin 103-101 ndaj Detroit Pistons për meritë edhe të Chalmers që koleksionoi 25 pikë dhe 8 asiste.