Në buxhetin e vitit 2019 në Shqipëri synohet rritja e investimeve vendore me rreth 60% krahasuar me vitin 2014.

Në bashkitë dhe komunat e vendit do të ketë investime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale dhe në qytete, ndërtime dhe rikonstruksione çerdhesh, kopshtesh dhe shkollash, rehabilitim të ambulancave dhe qendrave shëndetësore, sistemim të kanaleve kulluese, etj.

Buxheti do të konsistojë në rritjen e zhvillimit ekonomik vendor, si dhe menaxhimin më të mirë të shpenzimeve administrative me qëllim ofrimin e më shumë shërbimeve publike cilësore me një kosto sa më të ulët.

Kjo do të arrihet nëpërmjet rritjes së peshës së shpenzimeve për investime dhe uljes së peshës që zënë shpenzimet administrative, rritjes së eficiencës në ofrimin e shërbimeve publike në nivel vendor, duke identifikuar tregues të performancës së shërbimit të ofruar dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes vendore në raport me komunitetin, në drejtim të monitorimit të publikimit të dokumenteve buxhetorë dhe zhvillimin të seancave të vazhdueshme të konsultimit me qytetarët, transmeton atsh.

Buxheti vendor për vitin 2019, ku do të ketë rritje të burimeve të financimit të qeverisjes vendore me rreth 5 miliardë lekë ose 11% më shumë se në vitin 2018 që sigurohet nga transferta e pakushtëzuar dhe të ardhurat nga taksat e tarifat vendore.

Kjo rritje krijon hapësirat e nevojshme për përmirësimin e shërbimeve publike dhe fokusim më të madh në investime kapitale; si ngritja e kadastrës fiskale dhe implementimit në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore me qëllim taksimin sa më të drejtë, me objektiv rritjen e të ardhurave për njësitë e vetëqeverisjes vendore.