Ministri i jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu tha se zona e sigurisë në Siri është e rëndësishme për stabilitetin, kthimin e sirianëve dhe luftën kundër terrorit dhe se vendi i tij do të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në këtë drejtim, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto komente Çavuşoğlu i bëri gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij të Maqedonisë Nikolla Dimitrov, i cili gjendet për një vizitë pune në Ankara.

“Si një vend që ka vuajtur shumë nga terrori, jemi kundër çdo lloji të terrori. Jemi të vendosur në luftën kundër organizatave terroriste”, tha ministri turk në lidhje me sulmin e djeshëm terrorist në Munbixh, nga i cili disa pjesëtarë të personelit amerikanë humbën jetën.

Ai tha se ende nuk ka informacione të konfirmuara në lidhje me ushtarët e tjerë amerikanë.

“Në lidhje me këtë, pasi SHBA të sigurojë informacionet e nevojshme, do t’i ndajnë edhe me ne. Do të dalë në pah se kush është pas kësaj. Por në rast se ka një kërkesë nga Turqia për ndihmë në këtë drejtim, ne do të ofrojmë ndihmë”, u shpreh Çavuşoğlu.

“Do të vazhdojmë të bisedojmë me SHBA-në”

Kryediplomati turk, duke komentuar edhe takimin mes shefit të shtabit të përgjithshëm të Turqisë Yaşar Güler dhe atij amerikan Joseph Dunford, tha se krerët e ushtrive të dy vendeve kanë vlerësuar se si mund të koordinohet së bashku vendimi i SHBA-së për tërheqjen nga Siria, ndërsa po ashtu janë diksutuar edhe çështjet e mbrojtjes.

Ai deklaroi se çështja e zonës së sigurisë në Siri, të cilën e ka përmendur presindeti amerikan Donald Trump, është një çështje të cilën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e ka aktualizuar që nga fillimi i krizës siriane.

“Në bisedime do të përcaktohet nëse vallë mendimet e Turqisë dhe SHBA-së në lidhje me zonën e sigurisë përputhen ose nuk përputhen. Takimi i parë për këtë u zhvillua dje mes shefave të shtatmadhorive Güler dhe Dunfor në Bruksel. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona me palën amerikane”, theksoi shefi i diplomacisë turke.

“Kjo zonë e sigurisë të cilën presidenti ynë e mbron që nga fillimi, është e rëndësishme nga shumë aspekte, duke përfshirë stabilitetin në rajonin verior, por edhe në aspektin e kthimit të sirianëve, përfshirë vëllezërit tanë kurdë të cilët deri më sot nuk kanë mundur të kthehen në Siri, dhe po ashtu është e rëndësishme në aspektin e luftës kundër terrorit. Ne do të vazhdojmë të bisedojmë për këtë çështje me SHBA-në”, shtoi më tutje Çavuşoğlu.

Loading...