Në kuadër të vizitës oficiale në Republikën e Sllovenisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Miro Cerar.

Në fillim të takimit, ministri Cerar shprehu kënaqësi që disa muaj pas vizitës së tij oficiale në Republikën e Maqedonisë, ka nderin ta pranojë në kabinetin e vet Kryetarin Xhaferi edhe atë në një çast historik për vendin tonë, në vigjilje të ratifikimit të nesërm të Protokollit për anëtarësim në NATO nga ana e Republikës së Sllovenisë. Ai theksoi se Republika e Sllovenisë e mbështet pa rezervë Republikën e Maqedonisë në të gjitha përpjekjet e saj në planin bilateral dhe multilateral që nga pavarësimi i saj. Ai sugjeroi se në këtë drejtim do të vazhdojë edhe në të ardhme, veçanërisht kur bëhet fjalë për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje për përkrahjen nga Republika e Sllovenisë dhe me këtë rast shprehu kënaqësi nga bashkëpunimi i ndërsjellë produktiv. Ai theksoi se Republika e Maqedonisë edhe përskaj asaj që ishte vlerësuar si vend i cili i përmbush standardet për anëtarësim në NATO që në vitin 2008, për shkak të kontestit me emrin qëndronte gjatë para dyerve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Në vazhdim, kryetari potencoi se shumica parlamentare dhe Qeveria i tejkaluan me sukses çështjet e hapura me fqinjët, me ç’rast u mbyllën dy çështje: me Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë, Tani pritet ratifikimi i Protokollit për aderim në NATO nga ana e parlamenteve nacionale të vendeve anëtare, më së voni deri në fillim të vitit 2020 të bëhemi anëtare e NATO-s.

Ministri Cerar, potencoi se shembulli i Republikës së Maqedonisë në drejtim të përparimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe tejkalimit të çështjeve të hapura në mënyrë të qetë dhe konstruktive është pozitiv si për gjithë rajonin ashtu edhe për gjeneratat e ardhshme sepse do u mundësojë të jetojnë në ambient të qetë dhe të sigurt, të integruar në NATO dhe BE.

Kryetari Xhaferi theksoi se parlamenti punon në mënyrë të përkushtuar në drejtim të përmbushjes së reformave të domosdoshme me inkuadrim aktiv të opozitës. Ai e potencoi raportin pozitiv nga Komisioni Evropian dhe përcaktimin e datës për negociata nga ana e Këshillit të BE. Gjithashtu, Kryetari Xhaferi e njoftoi ministrin me aktivitetet aktuale në Kuvend, me ç’rast thekoi se për momentin në vendin tonë zhvillohet procesi i skriningut, pas së cilit vijon edhe harmonizimi i legjislacionit vendor me atë të BE-së. Kryetari Xhaferi potencoi se tani është koha të shfrytëzohet ky moment historik dhe të vazhdojmë më tutje të punojmë në drejtim të përforcimit të ekonomisë, përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, cilësisë së arsimit, shëndetësisë dhe të gjitha aspekteve tjera që e prekin jetën e përditshme.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesi theksuan se nevojitet të përforcohet mbështetja e ndërsjellë dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve në më shumë fusha nëpërmjet këmbimit të përvojave dhe vizitave të ndërsjella.

Loading...