Kryeministrja e Serbisë Sana Bërnabiq pas përfundimit ë mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, ka thënë se vendim i Kosovës për dialogun (Platforma) është në “kundërshtim me mendjen e shëndoshë”, përcjell gazeta e Beogradit “Veçernje Novosti“.

“Miratimi i Platformës është në kundërshtim me mendjen e shëndoshë. Reagimi ynë do të jetë i matur”, citohet të ketë thënë Bërnabiq pas përfundimit të mbledhjes që e kishte thirrur Vuçiqi.

Goditja e parë ka qenë mosrespektimi i Marrëveshjes së Brukselit nga Kosova . Janë bërë 2.149 ditë qëkur është nënshkruar e nuk është realizuar asgjë nga ajo. Nuk ka asgjë nga krijimi i Asociacionit të Komunave serbe (AKS)”.

“E AKS  ka qenë kurrizi i Marrëveshjes së Brukselit “, ka thënë ajo dhe ka shtuar se kjo ka qenë goditja e parë e Kosovës .

“Goditja e dytë ka qenë vënia e taksës e cila për shkak të reagimit të butë të vendeve perëndimore është ngritur në 100 për qind. Kosova i ka dërguar mesazh të qartë SHBA-së se nuk do t’i heqë taksat”, ka deklaruar Bërnabiq.

Goditja e tretë, ka thënë kryeministrja serbe, ka qenë miratimi i Platformës së Kosovës për dialog.