Proceset për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Greqi, do të fillojnë pasi që te ne do të përfundojnë ndryshimet kushtetuese dhe rezultati nga Shkupi zyrtar do t’i njoftohet Athinës zyrtare, e nga ana tjetër protokolli për NATO-n, për arsye teknike do të ratifikohet më vonë. Kryeministri grek Aleksis Cipras në intervistën e mbrëmshme për televizionin grek Open, i përshkroi hollësisht hapat e radhës që do t’i ndërmarrë Qeveria e tij që Marrëveshja me Maqedoninë të hyjë në fuqi, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Sipas vlerësimeve të tij, gjatë këtij muaji deputetët në Greqi do të votojnë për ratifikim. U shpreh i bindur se ekziston shumicë në Parlament si për Marrëveshjen e Prespës, ashtu edhe për besimin e Qeverisë, por edhe shpresë se partneri i tij i koalicionit nuk do ta përmbysë Qeverinë.

– Kam ndërmend, kam për qëllim, kuptohet pasi që të votohet në Kuvendin e Shkupit dhe pasi të informohet Ministria e Jashtme, pasi të informohet me korrespodencë diplomatike për rezultatin, por edhe për nenet nga Kushtetuta, posa të informohet për përfundimin e proceseve në vendin fqinj, menjëherë t’ia dorëzoj rezultatin Presidentit të shtetit, kryeparlamentarit, partive. Partitë do të kenë një pasqyrë se çfarë ndryshimesh janë bërë dhe menjëherë më pas do të merrem vesh me kryeparlamentarin për fillimin e proceseve, sqaroi kryeministri grek.

Vlerësimet e Ciprasit janë se palës maqedonase nuk do t’i nevojitet më shumë se një javë për ta informuar Greqinë dhe nëse votimi për ndryshimet kushtetuese përfundon gjatë fundjavës, supozimi i kryeministrit grek është se Athina do të jetë e informuar deri në fund të javës së ardhshme.

Lidhur me obligimin e dytë të Greqisë, protokollin për anëtarësim në NATO, Ciprasi tha se gjithçka do të varet nga proceset në vetë Aleancën.

– Kjo do të vije më vonë, por jo shumë vonë, për shkaqe teknike, meqë, së pari, nuk mund ta sjellim në të njëjtën kohë, meqë nuk mund ta ratifikojmë integrimin në NATO, nëse së pari nuk ratifikohet marrëveshja, nëse nuk bëhet e plotfuqishme marrëveshja nga Parlamenti grek. Se sa do të jetë më vonë, kjo do të varet nga proceset në vetë NATO-n, sqaroi kryeministri grek në intervistën.

Nuk besoj se Kamenosi do ta përmbysë Qeverinë

Lidhur me zhvillimet e fundit në koalicionin qeveritar, Ciprasi komentoi se nuk është hera e parë që partneri i koalicionit të shprehë mosmarrëveshje, por sqaron se nga momenti kur Kamenosi shprehet se “asnjëherë nuk do të përmbysë Qeverinë dhe asnjëherë nuk do të votojë për propozim të Micotakisit për mosbesim, atëherë nuk ekziston krizë në Qeveri“.

Ciprasi shfaq shpresë se partneri i tij i koalicionit nuk e ka ndryshuar qëndrimin, por thekson se gjithçka do të dihet pas takimit me Kamenosin, të caktuar për të premten në Pallatin kryeministror.

– Konsideroj, besoj, sa e njoh Kamenosin, ndërsa e njoh mjaftë mirë, se nuk do ta tërheqë besimin e tij për Qeverinë, tha kryeministri grek.

Ai sqaroi se ka dallim në pozicionet e Panos Kamenosit dhe Kirjakos Micotakisit në raport me kontestin me emrin, meqë Kamenosi qëkur ka qenë anëtar i Demokracisë së Re në vitin 2007 nuk është pajtuar me linjën nacionale dhe pozicionin e Kostas Karamanlisit në Bukuresht.

– Panos Kamenosi që prej atëherë kishte thënë se është i qëndrimit se duhet ta ruajmë pozicionin e vitit 1992 nga takimi i liderëve ku qëndrimi ishte: kurrfarë përmendje e termit Maqedoni, sqaroi Ciprasi dhe shfaqi shpresë se Kamenosi “nuk do t’ia lehtësojë planet Micotakisit për të hequr besimin”.

Nëse nuk merr mbështetjen e partnerit të koalicionit, atëherë Ciprasi do të kërkojë besim nga Parlamenti.

– Unë fli qetë në mbrëmje. Ky është një privilegj i madh për dikë që gjendet në pozicionin në të cilin jam unë. E di se jam në anën e vërtetë të historisë, se jam duke e bërë atë që është mirë për vendin tim dhe të gjithë le të marrim përsipër përgjegjësinë, tha Ciprasi në intervistë.

Në rast se përballet me tërheqjen e mbështetjes nga partneri i koalicionit dhe nuk merr 151 vota besim nga Parlamenti, atëherë Ciprasi shprehet se “nuk ekziston problem kushtetues, por ekziston ai politik” dhe kjo do ta shpie vendin në zgjedhje të parakohshme.

Në Parlament ka shumicën edhe për Marrëveshjen e Prespës edhe për besimin e Qeverisë

Kryeministri grek në intervistën për TV Open sqaroi se në Parlamentin aktual ekziston shumicë edhe për Marrëveshjen edhe për besimin e Qeverisë, gjegjësisht së paku 151 deputetë.

– Deri sot, Grekët e Pavarur e mbështesin Qeverinë, SIRIZA ka 145 deputetë, Grekët e Pavarur shtatë. Ka edhe një deputete e pavarur, zonja Papakosta e cila mbështetë Qeverinë dhe është pjesë e saj, kishte edhe një deputet që e votoi buxhetin, që ka karakteristikë të besimit. Sipas kësaj ka 154. Në raport me Prespën, zotëri Kamenosi dhe Grekët e Pavarur e kanë shprehur mospajtimin e tyre, e respektojmë këtë. Partia Reka, që ka prani serioze në Parlament u shpreh se do ta mbështesë, sipas kësaj, kam shumë arsye që ta sjell Marrëveshjen në Parlament për ta ratifikuar, sqaroi kryeministri grek.

Lidhur me vizitën e sotme të kancelares gjermane Angela Merkel në Athinë, Aleksis Cipras tha se ajo tashmë një kohë të gjatë ka dashur të vjen në Greqi, ndërsa lidhja e tyre është lidhje e besimit.

Rreth mbështetjes së Merkelit për Marrëveshjen e Prespës, kryeministri grek theksoi se “çdo njeri i logjikshëm në Evropë do ta mbështesë Marrëveshjen”.

Aleksis Cipras në intervistën që zgjati më shumë se një orë, të parën në vitin 2019, foli për të gjitha temat e hapura në Greqi, Marrëveshjen e Prespës, marrëdhëniet me Turqinë, ekonominë, etj.

/MIA/

Loading...