Marrëveshja e Prespës ishte marrëveshje e rëndë, pasi e goditi rëndë nacionalizmin dhe kuazipatriotizmin tha kryeministri grek, Aleksis Cipras, në fjalimin kushtuar së ardhmes së Evropës, nevojës që të formohet një bllok më progresiv para zgjedhjeve evropiane në luftën kundër nacionalizmit dhe së djathtës radikale.

Ai këtë e deklaroi në fund të konferencës njëditore me titull “Prosperitet për të gjithë në një Evropë të qëndrueshme”, të organizuar nga Grupi i aleancës progresive të socialistëve dhe demokratëve nga Parlamenti Evropian, përfaqësisë së fondacionit Fridrih Ebert në Greqi dhe Institutit për hulumtime dhe strategji politike.

“Para një muaji në Parlamentin grek e votuam një marrëveshje shumë, shumë të vështirë por edhe të domosdoshme për vendin, por edhe për mbarë Ballkanin, ndoshta simbolike edhe për Evropën. Marrëveshja e Prespës. Ishte marrëveshje e rëndë, pasi ishte goditje për nacionalizmin dhe kuazipatriotizmin. Disa thanë se nuk ka kurrfarë arsye që ta ndërmarrim këtë përgjegjësi. Se nuk kemi pasur kurrfarë arsye ta ndërmarrim këtë përgjegjësi dhe këtë çmim, çmim politik. Në një moment kyç e rrezikuam shumicën parlamentare. Rrezikuam edhe atë shkurt para fillimit të ciklit zgjedhor, shkurt para zgjedhjeve evropiane, pa dallim çmimit”, tha Cipras.

Kryeministri grek dërgoi kritika për forcat politike në Greqi të cilat nuk e mbështetën marrëveshjen duke thënë se “disa nuk patën guxim të rrezikojnë shumë më pak edhe pse vetëquajnë veten progresivë”.

“Pse e bëmë këtë. Pse? Pasi ishim të sigurt se funksionojmë në bazë të parimeve tona dhe ishim të sigurt se e kryem detyrën patriotike pasi jemi në anën e drejtë të historisë”, tha kryeministri grek./MIA/