Vijon ecuria fantastike e Golden State Warriors në Nba. Kampionët në fuqi siguruan fitoren e 6-të radhazi dhe të 35-tën në këtë sezon pasi mundën në transfertë Sacramento Kings me shifrat 128-116. Thjeshtë i mrekullueshëm Stephen Curry. Ylli i Warriors koleksionoi 38 pikë 11 asiste dhe 6 rebound në këtë përballje duke bërë të pavlefshme edhe paraqitjen e mirë të DaMarcus Cousins për Sacramenton. 33 pikët e realizuara nga ky i fundit shërbyen vetëm për statstika sepse në Sleep Train Arena Kings-at pësuan humbjen e 22-të sezonale.

Një fitore të thjeshtë arriti edhe Los Angeles Clippers që në Staples Center siguroi suksesin e 8-të radhazi pasi kaloi me rezultatin 97-83 Charlotte Hornets. Chris Paul me 25 pikë 7 asiste dhe 7 rebound ishte heroi  i vendasve në këtë përballje. Vazhdon momenti shumë pozitiv për La Clippers që pas 37 ndeshjeve të para pozicionohet në vendin e 4-t të Konferencës së Perëndimit me 24 fitore dhe 13 humbje.

Reggie Jackson dhe Andre Drummond me nga 23 pikë secili udhëhoqën Detroit Pistons drejt një suksesi shumë të rëndësishëm në sfidën ndaj Brooklyn Nets që përfundoi me rezultatin 103-89 në favor të skuadrës nga Michigani. Detroit krijoi një avantazh të konsiderushëm që në periodën e parë të ndeshjes duke administruar shumë mirë rezultatin deri në fund.

Surprizon Utah Jazz. Në Salt Lake City formacioni i drejtuar nga trajneri Snyder kaloi pa shumë vështirësi Miami Heat. 98-83 ishte rezultati që prodhoi me Utah që iu fal paraqitjes së shkëlqyer të Gordon Hayward që realizoi 34 pikë në këtë duel.

U rikthye te fitorja pas 3 humbjesh radhazi Washington Wizards. Skuadra kryeqytetase mundi në transfertë Orlando Magic me shifrat 105-99. Më i miri mbi parket për Washingtonin rezultoi John Wall që koleksionoi në total 25 pikë 10 asiste dhe 5 rebound.