Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka ironizuar me Kosovën gjersa ishte duke folur për çështjen e refugjatëve pas një takimi që pati në Beograd me homologun e tij slloven, Karl Erjavec.

Ai me ironi ka pyetur se pse emigrantët nuk po shkojnë në Kosovë e cila siç tha ai  “është qendra e demokracisë dhe zhvillimit dhe një territor i fuqishëm dhe prosperues.”

Ndërkaq,duke folur për vendin e tij, Daçiq tha se Serbia nuk do të lejojë që emigrantët të  kthehen në territorin e saj  nga vendet fqinje.

“Serbia nuk do të lejojë refugjatët të kthehen në territorin e saj dhe do të reagojë në mënyrë të përshtatshme në qoftë se disa nga vende fqinje ndërmarrin  hapa të njëanshëm”, deklaroi kryediplomati serb.

Ky i fundit shpjegoi se Serbia do të detyrohet që të veprojë në këtë mënyrë nëse Kroacia, Sllovenia dhe Austria bëjnë zgjidhje të njëanshme për refugjatët dhe problemin me emigrantët në përgjithësi.

Daçiq shtoi  se homologu i tij slloven  kishte shkuar në Beograd për ta informuar udhëheqjen serbe mbi iniciativat e kryeministrit slloven, Miro Cerar rreth mënyrave për dhënien fund të krizës së emigrantëve.

“Askush nuk do të qëndrojë në Serbi, nëse nuk ka aplikuar zyrtarisht për azil sipas procedurave ndërkombëtare. Në qoftë se dikush dëshiron për ta zgjidhur problemin me  shpresën se emigrantët do të qëndrojnë në Serbi, ata nuk do të kenë sukses në këtë  ” paralajmëroi shefi i diplomacisë serbe.