Ministri i Punëve të Jashtme në Shqipëri. Ditmir Bushati do të jetë nikoqir i dy kolegëve të tij Paolo Gentiloni nga Italia dhe Ivica Daçiq nga Serbia, në kuadër të Trilateralit Shqipëri-Itali-Serbi.

Kjo nismë u iniciua më shumë se një vit më parë dhe vijon takimin e parë trepalësh në nivel Ministrash të Punëve të Jashtme mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, të zhvilluar në Romë, më 23 janar 2015.

Ky takim synon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e një sërë çështjesh të rëndësishme si për vendet tona ashtu edhe për rajonin dhe me gjerë, transmeton KosovaPress.

“Ecuria e procesit të integrimit evropian dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, në frymën e procesit të Berlinit dhe duke pasur parasysh Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, si edhe çështje që kanë të bëjnë me sfidat e përbashkëta që po përballemi sot, do të jenë në fokus të këtij takimi të rëndësishëm, objektiv parësor i të cilit do të jetë përforcimi i urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi”, thuhet në një komunikatë për media.

Gjatë takimit, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, do të diskutojnë projekte të përbashkëta konkrete, me interes të ndërsjellë, në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj., duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.

Takimi trilateral do të paraprihet nga takime të veçanta të Ministrit të jashtëm Bushati me Ministrat Gentiloni dhe Daçiq.