Pse të mos hapet debati i madh mes intelektualëve shqiptarë, profesorëve dhe ekspertëve, në lidhje me kërkesat e Lëvizjes studentore shqiptare në Maqedoni?!

Në kohën kur arsimit shqip në këtë shtet po ia vënë frymën, korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, ndërhyrjet nga politika dhe pushteti;

– në kohën kur arsimit dhe shkollës shqipe po i jepen goditje të vazhdueshme nga shovinizmi i egër, nacionalizmi i papërmbajtur, nga klanet mafioze partiake, nga qendrat e propagandës së huaj politike dhe fetare;

– në kohën kur rinisë studentore shqiptare i afrohet vetëm një perspektivë, ose t’i nënshtrohet kësaj politike armiqësore, ose të shpërngulet në botën e jashtme;

– në kohën kur profesorët shqiptarë, të cilët paguhen për edukimin, arsimimin dhe përgatitje profesionale të gjeneratave të reja, ata detyrohen t’u mbajnë leksione dëgjueshmërie, përulje dhe nënshtrimi, edhe para kësaj fatkeqësie që e ka kapluar popullin shqiptar dhe sidomos rininë studentore;

– në kohën kur, në shumë vende më të përparuara të botës, me demokraci të zhvilluar, përkrahen dhe mirëpriten lëvizjet studentore, ndërsa tek ne priten ato me argumentin e forcës, me kërcënime, shantazhe, me forca policore;

– në kohën kur shihet qartë se Lëvizja studentore shqiptare ka shpërthyer e fuqishme dhe ka marrë rrugën e suksesit dhe fitores për ta marrë fatin e saj në duart e veta, si në Tiranë, Tetovë, Shkup, Prishtinë dhe gjithandej në viset shqiptare, vetëm politika antikombëtare dhe mendja e robëruar intelektuale ende sorollaten për ta ruajtur gjendjen ekzistuese, degradimin, prapambetjen, moszhvillimin, kaosin shoqëror, në të cilin ndodhet edhe arsimi dhe shkolla shqipe, e sotmja e zymtë, e ardhja e errët dhe pa perspektivë e rinisë shqiptare;

– në kohën kur nuk po kuptohet qartë se shkollat janë të nxënësve dhe për nxënësit, se universitetet janë vlera kombëtare në shërbim të studentëve, të pronarëve të tyre të përhershëm, në shërbim të edukimit dhe arsimimit të brezave të sotëm dhe të ardhshëm, jo prona private në duart e individëve dhe grupeve, për interesa personale dhe grupore, prona të udhëhqësve me mandate të përkohshme në ato.