Deputetja e pavarur, Solza Gërçeva tha në emisionin “10 Minuta” se mangësitë apo parregullsitë në listën zgjedhore datojnë shumë më herët. Qysh gjatë zgjedhjeve lokale në vitin 2013, jemi përballur me problemin e dyfishimit të votuesve dhe manipulimeve të tjera, tha ajo, duke shtuar se pas parregullsive të paraqitura, në kohën kur KSHZ-ja ishte ende me përbërjen e atëhershme, është dashur ta pastrojë listën zgjedhore, që të mos përsëritet i njëjti gabim, sipas saj.

“Besoj se KSHZ-ja ka pasur kompetenca të mjaftueshme dhe Kodi Zgjedhor  mundësonte hapësirë të mjaftueshme për të ngritur akuza penale për dyshime të caktuara. Që prej atëherë ekzistonin dyshimet edhe në mesin e qytetarëve. Nuk mund të kuptoj arsyen pse KSHZ-ja nuk e bëri atë. Në vend të kësaj, KSHZ-ja tre herë radhazi ka nënshkruar të njëjtën listë zgjedhore. Prandaj, ne jemi në këtë nivel, dhe çdo vit ne kemi zgjedhje“, u shpreh Solza Gërçeva, Deputete e pavarur.

Gërçeva tha se nga Marrëveshja e Përzhinës ka pritur më shumë, posaçërisht lidhur me përmirësimin e çështjes së pluralizmit demokratik. Imazhi i skenës politike mbetet i njëjti, thotë ajo, ndërsa vëmendja është përqendruar vetëm në 4 partitë politike, kurse partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur, sipas Gërçevës, nuk kanë  hapësirë të mjaftueshme.