Komisioni Shtetëror Zgjedhor e gatshme që t’i zbatojë zgjedhjen presidenciale, thotë kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, njofton Portalb.mk.

“Presim që në shkurt të caktohen zgjedhjet. Do të votojmë me mënyrën e vjetër, me llambë ultra-violetë dhe spërkatës. Njëra ndër punët e KSHZ-së është që vazhdimisht ta pastrojë Listën Zgjedhore”, thotë Derkovski.

Ai paralajmëroi se po punohet në drejtim që pas zgjedhjeve presidenciale, gjegjësisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të votohet me teknologji të reja, gjegjësisht nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve.

“Ekzistojnë instrumente të cilat i marrin të dhënat nga gjurmët e gishtërinjve dhe njëkohësisht paraqitet fotografia e votuesit dhe më pas del edhe letra për votim. Aplikimi i këtyre teknologjive bëhet për shkak të vërejtjeve të vazhdueshme për mangësi të Kodit Zgjedhor dhe ngritjen e besueshmërisë dhe realizimin e parimit një votë një njeri. Por tani për tani llamba dhe spërkatësi ngelen si mjeti i vetëm për parandalim të keqpërdorimeve eventuale”, thotë Derkovski.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka thënë se me 2 ose 3 shkurt të këtij viti do të shpallen zgjedhjet presidenciale që do të mbahen sipas të gjitha gjasave në fund të marsit, ose në fillim të prillit.

Që zgjedhjet të jenë të suksesshme, duhet që të dilet në rrethin e dytë rreth 720 mijë votues, ose rreth 40% nga numri i përgjithshëm i votuesve në Listën Zgjedhore.

Burimet kuvendore thonë se nëse nuk do të ketë cenzus, atëherë do të iniciojnë ndryshime kushtetuese që presidenti të zgjedhet në Kuvend. Shumica parlamentare me tetë deputetët e pavarur nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së ka 80 vota, aq sa nevojiten për ndryshim të Kushtetutës.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale që janë mbajtur më 13 dhe 27 prill të vitit 2014, i ka fituar kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.

Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit bëhet 60 ditë para skadimit të mandatit.

“Zgjedhja e Presidentit të Republikës bëhet në 60 ditët e fundit të mandatit të Presidentit të mëparshëm. Në rast të pushimit të mandatit të Presidentit të Republikës nga cilat do qoftë shkaqe, zgjedhja e Presidentit të ri bëhet brenda afatit prej 40 ditësh nga dita e pushimit të mandatit”, thuhet në Nenin 81 të Kushtetutës së Maqedonisë.