Irani tha se e nisi një raketë satelitore për në orbitë mirëpo ajo dështoi të arrijë në destinacion.

Veprimi i Iranit, vjen pas paralajmërimeve në rritje nga Shtetet e Bashkuara, se testet iraniane me raketa përbëjnë shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

Ministri i Telekomunikacionit, Mohammad Javad Azari Jahromi i tha televizionit shtetëror se raketa me satelit nuk arriti “shpejtësinë e nevojshme” në fazën e tretë të nisjes.

Ai nuk tha se çfarë e shkaktoi dështimin, por u zotua se shkencëtarët do të vazhdonin hulumtimet e tyre.

Irani është zotuar të dërgojë dy satelitë në orbitë.

Teherani po përballet me paralajmërime gjithnjë e më të ashpra nga administrata e Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Sekretari i Shtetit i SHBA.-së, Mike Pompeo ka thënë se planet e Iranit demonstrojnë kundërshtimin e vendit ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë i bën thirrje Iranit të mos ndërmarrë veprimtari në lidhje me raketat balistike të afta për të mbajtur armë bërthamore.

Irani këmbëngul se testimet nuk e shkelin rezolutën.

Uashingtoni dhe aleatët e saj shqetësohen se e njëjta teknologji për lëshimin e satelitëve mund të përdoret për zhvillimin e raketave bërthamore.