Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e zhvilluar në dy lokacione të ndryshme në Ferizaj, me ç’rast janë arrestuar gjashtë persona dhe janë konfiskuar 209 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Sipas Policisë së Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, njësiteve relevante të qytetit të Ferizajt dhe në asistencë të njësiteve për reagim të shpejtë, pas një hetimi disa mujor, ka realizuar një operacion të suksesshëm policor i cili ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar.

“Ky operacion policor është realizuar nën urdhëresën dhe bashkëpunimin e ngushtë me Prokurorinë Themelore Ferizaj-Kosovë, Departamenti për krime të Rënda, pasi është vazhdimësi e hetimeve që ndërlidhet me një operacion policor të realizuar në tetor të vitit 2018. Si rezultat i vazhdimit të hetimeve intensive me 09.02.2019, në dy lokacione të Ferizajt është realizuar kontroll policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e personave të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se kanë vepruar si grup kriminal të përfshirë në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Gjatë këtij operacioni policor është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike e llojit marihuanë e mbështjellë në 193 paketimeve, e cila pas matjes ka rezultuar të jenë 209.202 kg”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Gjatë këtij operacioni policor janë arrestuar gjashtë personat e dyshuar:

XH.S. viti i lindjes 1990, B.S. viti i lindjes 1978, G.K. viti i lindjes 1991, si dhe tre shqiptar të Maqedonisë, F.B. viti i lindjes 1992, J.B. viti i lindjes 1997 dhe F.B. viti i lindjes 1994.

“Në këto lokacione përveç konfiskimit të substancës narkotike, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar edhe katër vetura (pasat, Venta, Golf IV dhe Sharan), para kesh 839 euro e 95 cent, para kesh 520 denar Maqedonas, para kesh 3 dollar Amerikan dhe gjashtë telefona celular. Referuar operacionit të parë policor të realizuar në tetor të vitit 2018, ku ishin konfiskuar 108 kilogramë e 13.3 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë , si dhe tani rastit të mbrëmshëm ku janë konfiskuar 193 paketimeve, në sasi prej 209.202 kg. totali rezulton të jetë rreth 317 kilogram”, thuhet në komunikatë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.