Kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata po manipulon opinionin me projekte që janë nxitur dhe vazhduar më pas nga ish-kryetarët e komunave. Ky reagim vjen nga Shoqata atdhetare “Dibra” në Nju Jork, e cila kërkon që Lata të mos manipulojë opinionin.

Ky reagim vjen pasi që Lata i shoqëruar nga disa ministra të BDI-së kanë shëtitur rrugëve të Dibrës, për gjoja promovimin e projekteve apo investimeve të realizuara.

“Sa për informim, disa nga projektet që janë përmendur nga delegacioni partiak i BDI-së janë projekte që kanë filluar më parë dhe se nuk ka asnjë projekt fillestar. Fabrika e ujit të ambalazhuar është projekt i vjetër dhe një investim i që ishte nisur qysh më parë. Po ashtu edhe salla e sportit është një projekt i ngjajshëm i nisur që nga koha e kryetarit të mëparshëm të komunës. Gjimnazi i qytetit është një projekt i nisur nga shoqata dibrane në Staten Island në SHBA. Gjitha këto s`kanë asnjë lidhje me Latën”, theksojnë nga shoqata atdhetare “Dibra”.

Përveç kësaj në reagim thuhet se Ruzhdi Lata në vend që të merret me prioritetet kryesore për dibranët, për uljen e papunësisë, sigurimin e kushteve elementare për jetesë, si rregullimin e sistemit të ujit dhe kushte të tjera, ai po manipulon me projekte të nxitura vite më parë dhe për të cilët janë siguruar mjete nga donacione që sot e kësaj dite nuk janë transparente. Ky reagim vjen pasi që një delegacion i BDI-së, i udhëhequr nga ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi dhe deputetët e zonës kanë zbarkuar në Dibër. Siç shihet, delegacioni partiak ka qëndruar në lokacionet që më parë ishin promovuar dhe duhej që deri tani të promovoheshin projekte të reja. (INA)