Apartamenti më i shtrenjtë në tregun e pasurive të paluajtshme në Paris është blerë për 39 milionë euro nga një njeri që supozohet të jetë një industrialist i paidentifikuar i pasur, i cili pret të largohet nga Britania, shkaku i Brexit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një pronë 1000 metra katrorë me 16 dhoma është shitur për rreth tetë milionë euro më shumë se sa më e shtrenjta deri më tani në Paris.

Apartamenti i ëndrrave thuhet se shtrihet në tre kate në një ndërtesë të shekullit të 18-të në zemër të kryeqytetit francez. Apartamenti gjithashtu ka një kopsht prej 300 metra katrorë.

Por çfarë bie në sy është fakti se emri i blerësit është sekret, por mediat lokale thonë se është një industrialist evropian që dëshiron të vendoset në Paris, përpara divorcit britanik me Bashkimin Evropian.

Ky vlerësohet të mos jetë rasti i vetëm, sepse siç thuhet, njerëzit e pasur druajnë se prona e tyre mund të humbasë vlerën pas Brexit-it dhe e konsiderojnë Parisin si një vend të mirë për të riinvestuar në pasuri të paluajtshme.

Gjithashtu bëhet e ditur se një çmim i tillë i lartë për një pasuri të paluajtshme është i rrallë në Paris.

Herën e fundit kur çmimi për një apartament ishte mbi 30 milionë euro u arrit në vitin 2007 kur vajza e ish presidentit Uzbek njoftoi se bleu një apartament prej 688 metra katrorë, për 31 milionë euro.

Loading...