Procesi i bisedimeve me zgjidhjen është shenjë e vetëbesimit të të dyja vendeve dhe të dy popujve, fitore e shpresës ndaj emocioneve të tjera, tha ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov në panel diskutimin e organizuar nga Universiteti i Athinës “Pieras” në të cilin mori pjesë me ftesë të ish shefit të diplomacisë greke, Nikos Koxias, lajmëron korrespondentja e MEDIAL-s nga Athina.

Dimitrovi tha se “nëse ekziston leksion nga procesi i filluar në qershor të vitit 2017, i intensifikuar në dhjetor të vitit 2017 dhe janar të vitit 2018, ndërsa i finalizuar mes të dyja vendeve në qershor të vitit të kaluar, kjo është fitorja e vetëbesimit të të dyja vendeve, të të dy popujve”.

“Kjo gjithashtu është fitore e shpresës ndaj emocioneve të tjera, fitore e lidershipit shumëvjeçar mbi politikën ditore. Kjo nuk ndodh shpesh, sepse më së lehti është që të mos preket problemi ose të preket në atë mënyrë që do të të sillte pikë ditore politike. Ajo që ishte e vështirë është që të gjendej zgjidhje, kompromis”, theksoi Dimitrov në fjalimin e tij në panel diskutimin e Mesdheut Juglindor.

Ministri i Punëve të Jashtme u përqendrua në rajon duke thënë se “tani është koha që rajoni të marrë fatin në duart e tij”, se ka histori të madhe për të cilën të gjithë janë krenarë, por nevojitet që të krijohet e ardhme.

“Jemi krenarë për historinë tonë, do të jap gjithçka nga vetja, derisa jam në politikë, të jemi krenarë për atë që do të arrijmë sot dhe nesër”, porositi ministri i Punëve të Jashtme.

Ai tha se të gjitha vendet e rajonit duhet të jenë të bashkuar, të punojnë së bashku, “sepse kështu do të jemi më të fortë”. Ai foli edhe për krizat me të cilat u përball dhe po përballet BE-ja dhe theksoi se “nuk duhet të lejohet që e njëjta t’i ndodhe dhe Ballkanit”, ndërsa për këtë, nevojitet edhe që të krijohen miqësi, të hapen dyer dhe të punohet në demokracinë në brendi të vendeve.

“I thash kryetarit të Parlamentit se tani duhet se si të zbulohemi mes vete, ne jemi fqinj dhe kemi faqe të bardhë të cilën duhet të fillojmë ta shkruajmë”, tha ministri Dimitrov dhe  theksoi se kjo do të jetë faqe pozitive.

Ministri Dimitrov shfaqi shpresë se zgjidhja e çështjes së emrit do të jetë inspirim edhe për vendet e tjera dhe theksoi se për rajonin nuk ka opsion tjetër alternativ nga perspektiva evropiane.

Tha se nuk ekziston diskutim i mjaftueshëm për punët dhe problemet aktuale në rajon, siç është largimi i të rinjve, papunësia, sigurimi shëndetësor dhe të ngjashme.

Në panel diskutimin, së bashku me Dimitrovin morën pjesë edhe ish ministrat e Punëve të Jashtme të Bullgarisë dhe Shqipërisë, Mitov dhe Bushati.

Në fund të konferencës akademike dyditore i ishte ndarë shpërblim ish shefit të diplomacisë greke, Nikos Koxias, pas çka ai foli para të pranishmëve. .fc/