Nga shpërthimi që ndodhi në një gazsjellës në jugperëndim të Iranit kanë vdekur të paktën katër persona, raportojnë mediat lokale.
Shpërthimi ndodhi për shkak të një rrjedhje gazi nga tubacioni që ndodhet midis kryeqytetit provincial, Ahvaz, dhe qytetit Mahshahrit.

Në mesin e të vdekurve janë edhe një fëmijë dhe një grua ndërkaq pesë persona të tjerë u plagosën.

Nga ekipet e zjarrëfikësve bëhet e ditur se zjarri përfshiu edhe disa mjete transportuese të udhëtarëve.

Megjithatë, autoritetet thonë se numri i viktimave ende nuk është përfundimtar.

Irani ka një infrastrukturë të vjetër, të cilën është përpjekur ta mbajë në funksion përgjatë gjithë periudhës disavjeçare të përballjes me sanksione të vendeve perëndimore.

Në gusht të vitit 2018, një shpërthim gazi në një kompleks sportiv në Teheran vrau të paktën tre punëtorë.