Arlind Qorri

Gjithçka nisi me një v.k.m. e cila, siç ndodh rëndom në një shtet të varfër në kulturë juridike, nuk u mor vesh se kur u miratua, kush e propozoi dhe si ndodhi që u zbulua shtatë muaj më vonë. Nuk ishte hera e parë që qeveria gjobiste studentët për provimet e mbartura. Po më parë ky “privilegj” u takonte vetëm studentëve të masterit, kurse tanimë ai do të prekte çdo student që guxonte të shtynte qoftë edhe një provim.

Askush nuk e di se kush e dha kushtrimin për të shkuar te Ministria e Arsimit. Me gjasë ndonjë student i patëkeq i cili ka menduar se për një kërkesë kaq partikulare nuk ka ku shkohet tjetër përveçse në derën e institucionit që duhej të ishte përgjegjës për arsimin. Po prej ditës së parë kërkesat përparuan. Të habitur – secili më vete – nga masiviteti i shpejtë i protestës dhe ndjenja e fuqisë që prodhon një kolektivitet i ri, studentët nisën të hedhin parullat e para. Kërkohej ulje e tarifave (nga përgjysmimi te arsimi publik falas), përmirësim i kushteve të studimit dhe jetesës, demokraci universitare, libra, kërkim shkencor, kinema, jetë e re… Orteku i pjesëmarrjes dhe kërkesave përparonte me të njëjtin hap. Çdo orë prodhonte diçka të re – subjekte të reja, imagjinare të re, arsye të reja, frymë të re.

Me dritëshkurtësinë që karakterizon një pushtet të atrofizuar, qeveritarët ia nisën këngës së vjetër. Ministrja e Arsimit nxitoi ta përcillte përgjegjësinë te burokracia universitare, kurse shefi i saj në krye të qeverisë tentoi të prekë telat e publikut imagjinar duke shtruar pyetjen retorike: “A doni të paguani ju për ngelësat?!” Asgjë nuk kishin kuptuar.

Në vend se të mpakej, shumësia studentore në protestë sa vinte e zgjerohej. Vendosmëria po ashtu. Qeveritarët nisën të kuptonin se kishin të bënin me një “kafshë politike” të re e të pazbutshme. U tërhoqën prej v.k.m., por tanimë ajo ishte tejkaluar në ndërgjegjen studentore. Studentët donin më shumë, donin gjithçka, e donin menjëherë dhe ishin të gatshëm të këmbëngulnin deri në vetëmohim. Sistemi politik po trandej nga e jashtëzakonshmëria që po bëhej e zakonshme.

Qeveritarët i kishin varur shpresat te kapriçot e kalendarit dhe mosmarrëveshjet e mundshme midis studentëve. Sakaq përhapnin mjegull duke pretenduar se tarifat ishin në dorë të burokracisë universitare, jo qeverisë.

Pastaj erdhi e marta e 11 dhjetorit, dita kur dhjetëra mijëra studentë zunë me trupat e tyre të ngjeshur thuajse krejt Rrugën e Durrësit. Ishte një nga protestat më të mëdha të historisë së Shqipërisë. Më e bukura dhe e gjalla ishte me siguri. Thirrje të pafundme, krijimtari e pamat mesazhesh e simbolesh, pemë të shndërruara në pika të pjesshme koordinimi dhe, mbi të gjitha, entuziazëm. Askush nuk po e besonte çka po ndodhte. As vetë studentët që po e prodhonin.

Atë ditë, përfundimisht, Edi Rama e humbi fillin. I nxirë në fytyrë, me përpjekje mbinjerëzore për të mos folur përçart, ai shpalli se ishte i gatshëm të kapitullonte. “Do t’ju jap edhe më shumë nga ç’kërkoni” – bëzante, “veç më jepni dorën.”

Tanimë studentët ishin indiferentë ndaj fjalëve të tij. Ata donin gjithçka pa kushte, duke e shndërruar Ramën në pushtetarin më të izoluar dhe të përçmueshëm të historisë së Shqipërisë. Sajesa e tij me freshistë, shfaqjet si me pusi në Fakultetin e Gjeologji-Minierës dhe Universitetin Bujqësor vetëm sa e përforconin idenë e një pushtetari impotent. Aty ku e paralajmëroi ardhjen – në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit – pjesa më e madhe e studentëve i treguan vendin. Ia përplasnin në fytyrë dhe dilnin demonstrativisht. I poshtëruar, ai vazhdonte monologun me të mbeturit në sallë. Nuk dihej se kujt i fliste. Prindërve në shtëpi duke i prekur në telat e autoritetit të humbur në familje dhe shtet, qytetarëve imagjinarë të cilëve u kujtonte sakrificat financiare që duhej të bënin apo thjesht vetes sa për të thyer heshtjen e frikshme?

Në të njëjtën kohë thurte strategjinë e zhvendosjes së të gjithë përgjegjësisë te burokratët universitarë. Ishin ata – sipas tij – që kishin bërë rrush e kumbulla bujarinë e qeverisë për studentët, që nuk kishin zbatuar ligjin e arsimit të lartë, që bënin tenderë e falnin tituj akademikë. Paçka se paratë e universitetit administroheshin nga borde që mbisundoheshin prej të emëruarve të qeverisë. Skota e Maznikëve dhe Ndrecëve, sa për të pasur një ide.

Thënë kjo, burokracia universitare ka qenë dhe është mishëruesja e llumit të jetës universitare. Veçse është një llum i gatuar në kuzhinën klienteliste të të gjitha partive politike, sidomos të asaj që sot është në pushtet.

I lodhur dhe i vënë në cep të ringut, Rama po orvatet të ngrejë barrikadën e fundit midis tij dhe greminës politike: ligji i arsimit të lartë. Lëshimi i ligjit nënkupton pranimin e fiaskos më të madhe qeverisëse të këtyre pesë viteve, prerjen përfundimtare të lidhjeve me pronarët e diplomoreve private, rritjen substanciale të buxhetit për arsimin duke prekur oligarkët, demokraci universitare që shkatërron përfundimisht marrëdhëniet feudale në arsim e sa e sa të tjera. I vetëdijshëm se rrëzimi i ligjit do ta marrë me vete në greminë, Edi Rama po lufton me mish e me shpirt për mbijetesën e vet politike.

Nëse qeveria shquhet në keqbërje, opozita e saj formale ka thyer çdo rekord budallallëku politik. Gjithçka lind nga një moskuptim fenomenal i situatës politiko-shoqërore në tërësi dhe botës universitare në veçanti. Të mësuara ta konsiderojnë politikën lojë me porta të vogla të dirigjuar nga zyrat luksoze, ku njerëzit trajtohen si mitingashë të gatshëm, PD dhe LSI shpresuan ta rrëmbenin protestën studentore duke e drejtuar kah interesat e tyre të ngushta pushtetore. Me sa kuptohet, kanë dashur të prodhojnë fabulën e bashkimit të disa grupeve shoqërore për t’u mbledhur përpara kryeministrisë në datën simbolike 8 dhjetor. Aty, ndoshta, do të zbrisnin nga Olimpi zoti Basha dhe zonja Kryemadhi për të drejtuar sulmin ndaj kërpudhës së shëmtuar ndanë pallatit të sulltanit. Taktikat e sejmenëve të tyre mes studentëve ishin të lexueshme deri në anekdotë, çka tregon për subjekte partiake dëshpërimisht impotente.

Impotenca politike i bëri bisha. Të pamundur për t’iu kundërvënë shumësisë studentore, nisën kundër aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin, një nga fushatat më të ndyra të shpifjeve dhe fyerjeve të këtyre viteve. Mendje të kalbura dhe të sëmura sekretonin çdo orë teori konspirative, gënjeshtra të hapura dhe nxitje të drejtpërdrejta për dhunë. Me dëshirë perverse i kopjonin portal pas portali, ku shpura fashistoide e komentuesve anonimë sublimonte të gjitha frustracionet e veta.

Dhuna verbale nuk do të kishte të njëjtën rëndësi sikur të mos shoqërohej me dhunën e drejtpërdrejtë fizike të edepsëzëve të PD dhe LSI ndaj aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin. Që prej ditës së dytë të protestës nuk kanë të numëruara rastet e goditjeve hileqare dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj vajzave dhe djemve të Lëvizjes, të cilët i tërbonin kokëboshët partiakë me krijimtarinë dhe fjalën e tyre të arsyeshme. “Kush është ky?!” – u hakërreheshin studentëve që mbanin spilë me fytyrën e Migjenit, duke e marrë për ndonjë bolshevik të kryqëzorit Aurora.

Të çakërdisur si mos më keq nuk arrinin të kuptonin se orvatjet përvetësuese dhe përçarja e sforcuar e studentëve çonte ujë në mullirin e Ramës. Po budallenjve politikë aq u bën.

Tregues tjetër i impotencës së partive të opozitës ishte anakronizmi i mjeteve dhe simboleve të përdorura nga dhjetëra “studentët” e tyre. Me verbërinë e atyre që janë mësuar vetëm të marrin urdhra, tentonin në të gjitha mënyrat që të përsërisnin taktikat e PD dhe LSI. Këmbëngulnin ta zhvendosnin protestën nga ministria apo kryeministria drejt bllokimit të rrugëve, por pakkush i ndiqte nga pas. Pastaj ktheheshin me bisht ndër shalë dhe kërcënim ndër dhëmbë. Për të ritentuar sërish pak minuta më vonë, pa u kthyer kësaj radhe, dhe me një grusht njerëzish bllokonin rrugët. Jo për 5 apo 10 minuta simbolike (kohë kur zakonisht edhe qytetarët në makina i përshëndesnin), por për orë të tëra, duke rrezikuar në disa raste të rriheshin paq nga shoferët e inatosur përpara shikimit indiferent të policëve rrugorë.

Sikur të mos mjaftonin këto aventurizma, personat në fjalë nuk harronin t’u kujtonin të tjerëve edhe jashtëkohësinë e tyre simbolike. Arrije ta kuptoje një “student” partie nga varfëria dhe agresiviteti i fjalorit, fjalimet boshe, imagjinata që nuk e kapërcente asnjëherë nivelin e këngëve patriotike të përpara dy shekujve, madje edhe thirrjet idioto-raciste të tipit: “Jemi racë ariane!” Në të madhërishmen protestë të 11 dhjetorit, ndërkaq, nuk munguan të valëvisnin edhe një duzinë famujsh amerikanë dhe të BE, çka dëftonte se u kishte mbetur ora te mitingjet për referendumin e kushtetutës së 1994. Po atë ditë, shumësia studentore reagoi fort duke kërkuar uljen e flamujve dhe thirrur: “Këtu ka vetëm kuqezi!” Thirrje nacionaliste – vërtet – por në ato kushte me karakter të fortë emancipues.

Në ag të modernitetit, Spinoza kërkonte të rikonceptualizonte demokracinë, duke e lidhur me kushtetimin politik të një subjekti të ri, të larmishëm dhe unitar njëkohësisht, bartës të fuqisë dhe të drejtës, të papërfaqësueshëm dhe të patjetërsueshëm: shumësia. Në filozofinë politike bashkëkohore është një nga konceptet më pjellore dhe të diskutuara. Pavarësisht bazamentit klasor, shumësia i tejkalon kufijtë sociologjikë të klasës shoqërore. Ajo shënjon një tërësi në lëvizje, prodhuese jo vetëm materialisht, por edhe simbolikisht dhe afektivisht. Shumësia nuk është turmë e verbër, por bashkim singularitetesh dhe grupesh; nuk ka Kokë se përbëhet nga mijëra koka krijuese; nuk zgjedh midis arsyes dhe dëshirës sepse është dëshirë e ngritur në arsye; nuk dëshiron revolucionin sepse është vetë revolucionare; e përçmon dhunën si shprehje të impotencës; është e paparashikueshme, prandaj e fut pushtetin në krizë; shpërbën hierarkitë dhe tallet me protagonizmat; përshkohet nga kontradiktat, por ia del t’i shndërrojë ato në diferenca. Me një fjalë, kur shumësia është, pushteti zhduket.

Në Shqipërinë e sotme këto tipare abstrakte janë kthyer në realitet konkret. Për javë me radhë shumësia studentore është rritur dhe fuqizuar duke kombinuar spontanitetin individual dhe larminë e planeve të vogla, ka shprehur një pafundësi dëshirash dhe e ka bombarduar qeverinë dhe sistemin partiak kërkesë pas kërkese. Nuk është ndalur në asnjë çast. Ka kaluar nga v.k.m. te tarifat, nga tarifat te kushtet e jetesës, nga këto të fundit te bibliotekat dhe cilësia universitare, pastaj te demokracia studentore dhe, së fundmi, te rrëzimi i ligjit të arsimit të lartë. Dhe pas ligjit, kushedi…

Shumësia studentore është krijuese. Ajo më së pari rikrijon subjektin studentor. Asnjë student nuk është më si më parë. Të qenit pjesë e shumësisë i ndryshon, u hap horizontet e mendimit, i bën të besojnë te njëri-tjetri, u fal vetëbesim dhe ndjenjë fuqie, i bën madje edhe njerëz më të mirë. Ky vetëkrijim shkon bashkë me shpërthimin e krijimtarisë së ideve, parullave, simboleve etj. Nuk ishin artistë që mezi pritën situatën e duhur për të shpërthyer, ishte situata e re që prodhoi menjëherë mijëra artistë.

Po studenti nuk është thjesht student. Ai është qytetar i kësaj pseudo-republike, bijë e bir i familjeve të varfra e të mesme, shpesh herë punëtor i përkohshëm me mëditje, vajzë e djalë i fshatrave dhe qyteteve, bartës i një trashëgimie dhe i një shtyse të fortë përpara.

Pikërisht si subjekt i shumëfishtë, studentët ia dolën ta kthejnë protestën e tyre në antisistemore, pavarësisht se kërkesat deri më sot kanë mbetur brenda gardhit të universitetit. Karakteri antisistemor e tejkalon qeverinë, ndonëse shquan tek ajo përfaqësuesen më të dëmshme të tij. Thirrjet “Jo politikë!” nuk treguan vetëm refuzimin e tyre ndaj orvatjeve përvetësuese të partive, por edhe neverinë ndaj partitokracisë në tërësi. Sigurisht që pati pedantë që dhanë mend se pse nuk duhej thirrur “Jo politikë!”, a thua se thirrjet nuk burojnë nga shpirti autentik dhe plot tallaze i protestës, por përgatiten në laboratorët “shkencorë” të intelektualucëve që u kujtuan së fundmi të hapin një fjalor politik.

Antisistemore ishin edhe veprat e tyre dhe kriza e gjithanshme politike që prodhuan. Studentët refuzuan masivisht dhunën impotente fizike. Ata ishin të dhunshëm në një mënyrë të re, tmerruese dhe paralizuese për këdo që e provon. Studentët dhunuan institucionet e kalbura shtetërore pa iu thyer xhamat me gurë; dhunuan pushtetarët pa i sharë, por duke i vënë në lojë; mund të thuhet madje se dhunuan edhe oligarkët që këto ditë, me siguri, shohin ëndrra me jakobinë. Kërkesat progresive, refuzimi për t’i negociuar ato, shpërfillja e çdo autoriteti politik dhe qëndresa e vendosur kanë prodhuar pasigurinë më të madhe që pushteti ka ndjerë ndonjëherë vitet e fundit.

“Ç’do të ndodhë më 7 janar e tutje?” është pyetja që mundon qeverinë, tundon opozitën dhe kredh në mendime një shoqëri të tërë. Me masat çyryke qeveria ka vendosur një bast të madh politik. Rama shpreson se ato pak lëshime do të mjaftojnë për t’u krijuar studentëve iluzionin e fitores, çka do t’i shtynte të ktheheshin në auditorë. Nëse shkolla rifillon, qeveria do të ketë humbur shumëçka rrugës, por së paku do të mbijetojë. Pavarësisht se me legjitimitet të rënë përtokë, ajo do të tentojë të kalërojë një pjesë të mllefit studentor duke e orientuar atë ekskluzivisht brenda mureve të universitetit. Aty ku vegjetojnë rektorët e dekanët famëkëqij dhe sa e sa pedagogë që nuk meritojnë as respektin, as rrogën. Po edhe në rastin më të mirë, qeveria nuk do të guxojë t’i hyjë me themeli abuzimeve brendauniversitare. Do të mjaftohet me ndonjë shembull sa për spektakël. Bajraktarët universitarë janë hallka të një zinxhiri feudal në majë të të cilit qëndron vetë kryeministri. Goditja e tyre do të ishte një grusht fytyrës për veten.

Po gjasat janë të mëdha që shkolla nuk do të rifillojë. Masa e stërmadhe studentore do të kthehet pas pushimeve të fundvitit. Në kushtet ku studentët do të mblidhen në oborret e fakulteteve është e pritshme që me dhjetëra mijëra të bashkohen në një protestë akoma edhe më të fuqishme. Studentët e kuptojnë se ulja e tarifave të bachelor-it është e kotë pa uljen e tarifave të masterit, se bajraktarizmi universitar nuk mund të thyhet pa barazinë e votës studentë-pedagogë, se kushtet e studimit dhe të jetesës nuk mund të përmirësohen pa rritjen serioze të buxhetit për arsimin dhe se të gjitha këto janë të parealizueshme pa rrëzimin e ligjit klientelist të arsimit të lartë.

Bojkotimi permanent i mësimit dhe protestat e ditëpasditshme do ta mbanin hapur plagën e krizës, duke e thelluar atë. Kokëfortësia e qeverisë do ta rriste zemëratën studentore. Tërheqja e dytë do të shënonte fundin e saj. Qeveria do të binte si mollë e kalbur dhe do të merrte me vete edhe një opozitë formale pa pikën e legjitimitetit.

Askush nuk mund ta parashikojë se çfarë do të ndodhte më pas. Shumëkush ushqen ëndrra të vjetra për parti të reja apo Mesinë hipur mbi Mercedez. Sidoqoftë, do të krijoheshin parakushtet e një demokracie të re, ku nuk ka pikën e rëndësisë se kush e ka pushtetin formal (jo po zgjedhjet, parlamenti, qeveria e më the të thashë). Faktori më i rëndësishëm do të ishte bartësja e fuqisë së vërtetë, shumësia e re, e cila në një moment të dytë do të ketë nevojë t’i kapërcejë kufijtë e vet studentorë. Ajo do të jetë shumësia e studentëve, punëtorëve, shitësve ambulantë, dyqanxhinjve, profesionistëve të rinj, intelektualëve të ndershëm, sipërmarrjeve të vogla e të mesme prodhuese etj. Do të ishte shumësia që fushëveprim ka gjithë marrëdhëniet shoqërore dhe instrument politik protestat, referendumet, çlirimin e hapësirave publike, përndezjen e debatit publik dhe, mbi të gjitha, izolimin deri në mbytje ekonomike të oligarkëve.

Një vit vërtet i ri na pret.

Loading...