Reshat Ibrahimi

Wels, janar, 2019 – Shqiptaret janë integruar mjaftë mirë në shoqërinë austriake. Dhe, njëri prej tyre është Habib Fetai, djaloshi i vyeshëm nga Hotla e Kumanovës, i njohur si specialist për dizajnimin e kuzhinave. Atë e takuam në vendin e tij të punës në Möbelix, në qytetin e Ëelsit, ku shfrytëzuam rastin që të zhvillojmënjë intervistë me te, të cilën ai e pranoi me shumë kënaqësi.

Habibi tregon se kur ka emigruar në Austri dhe si ka qenë fillimi.
“Në Wels të Austrisë kemi ardhur së bashku me familjen time në vitin 2004. Kam qenë 11 vjeç. Si për të gjithë shqiptarët edhe për ne fillimi ishte i vështirë, pasi s’ka qenë e lehtë të largohesh nga vendlindja e të marrësh rrugën për gurbet, me idenë për një jetë më të mirë. Fatmirësisht isha vetëm 11 vjeçar dhe arrija ta mësoja gjuhën gjermane më shpejtë që mos të humbi asnjë vit shkollor”, e nis rrëfimin e tij për Lajm, Habib Fetai, i cili më pas vazhdon të tregoj se si ka nisur punën në Mobelix.
“Isha 15 vjeçar kur erdhi koha për t’ia filluar zanatit ose për të vazhduar shkollimin. Dëshira ime ishte të përfundojë zanatin dhe shkollën për zanat. Si fillim e kisha vështirë të kuptojë shumë këto punë, sepse isha vetëm në magazinë të firmës. Nuk e kisha fare idenë për dizajne. Isha 15 vjeçar, por kisha gjithmonë një inat kur e shikoja ish-shefin se si po respektohet prej të tjerëve, duke ndenjur vetëm ulur, duke bërë dizajne. Kjo më pëlqejke, më dukej sikur hobi. Pra, fillimi ishte shumë i vështirë, sepse 2009-ën e pata lajmëruar kursin (shkollën) për diplomën ku zgjati përafërsisht diku 9 muaj. Po me sukses e kalova edhe atë vështirësi”, kujton ai.

Tani ai i ka një përvojë të madhe në këtë fushë.
“Sipas statistikës, diku tre vite duhen praktikë për ta kuptuar punën ashtu si duhet me ia lehtësuar punën vetës, myshterinjve, si dhe montazhierëve. Unë tani si dizajner i bëra gati 10 vite, dhe nuk mund të them se i kam mësuar të gjitha fshehtësitë e këtij zanati, sepse çdo ditë mësoj diçka më shumë. Kjo është ajo që më pëlqen më së shumti te kjo punë”, thekson ai.

Fetai tregon se gjatë vitit 2018 ka bërë shitje rekorde të kuzhinave.

“Unë jam si udhëheqës i studios për kuzhina dhe s’mund të them një shumë të tillë, ngase aty hynë edhe kuzhina standard. Pra është vështirë ta them numrin e saktë të shitjes së kuzhinave, por them se gjatë një muaji shes mesatarisht 30 kuzhina, kurse rekordi i shitjes gjatë vitit 2018 ishte 1.5 milion euro”, thotë Fetai.

“Mendimi im në këtë fushë është kështu: Blerësi që vjen e blen, për hatër nuk ka. Blerësit krijohen, po shtrohet pyetja se si krijohen. Nëse t’i si shitës bëhesh tek ata që të ndjekin ty, po si bëhet që të ndjekin, nëse ata e dëshirojnë atë që t’i e bën dhe prezanton, nëse t’i e bën këtë punë me dëshirë dhe t’i e do atë që e bën me siguri edhe blerësi do të jetë i kënaqur me atë që t’i ia prezanton”, sqaron Fetai lidhur me motivimin ndaj blerësve.

Djaloshi nga Kumanova tregon se ka shumë blerës shqiptarë, të cilët i falënderon pafund për mbështetjen që ia japin.

“Ndjehem shumë mirë, e pëlqej këtë se kam edhe blerës shqiptarë. I falënderoj të gjithë shqiptarët në Austri që më kanë përkrahur dhe më kanë respektuar në këtë fushë, më kanë ndihmuar të arrijë edhe të bëhem një prej më të mirëve në Austri dhe falë tyre e fitova vendin e parë në rajonin tonë, ku morën pjesë shumë dizajnerë. Jam krenar që ka edhe shumë shqiptarë në këtë rajon”, flet me krenari 26-vjeçari.

Fetai është krenar me rininë shqiptare në Austri, por ka një edhe një porosi.

“Jam krenar për rininë që kemi. Të rinjtë tanë kanë arritur shumë në këtë vend dhe po integrohen shumë mirë. Tani edhe në punë zyrtare të shtetit ka shqiptarë të punësuar, dhe jemi krenar me ata. Të rinjtë i kisha porositur që asnjëherë të mos dorëzohen, edhe pse është e vështirë, por nëse ke një qëllim do t’ia arrishë. Në karrierë nuk ka fat, por ka vetëm sukses, suksesi nuk blihet me para, por me durim dhe dituri. Austriakët e kanë një fjalë të mirë: ‘Erfolg ist eine treppe, keine tűr (suksesi nuk është një derë, por janë shkallë, dhe çdo vit hynë shkallë pas shkalle’”, përfundon intervistën e tij për Lajm, Habib Fetai, djaloshi nga Kumanova, dizajner i njohur në Wels të Austrisë.