Tenisti serb, Novak Djokovic, ka arritur të kualifikohet në finale të Australian Open, ku do të ndeshet me spanjollin Rafael Nadal. Djokovic e mposhti Lucas Pouille në gjysmëfinalen e kësaj gare.

31-vjeçarit iu nevojiten vetëm një orë dhe 23 minuta për ta fituar këtë ndeshje kundër Poullie, që e fitoi në tri setet e para, 6-0, 6-2 dhe 6-2, transmeton Gazeta Express.

Djokovic dhe spanjolli Nadal do të ndeshen për titullin e kampionit të këtij viti të Australian Open të dielën. Këta dy së bashku kanë plot 31 tituj të Grand Slams.

Djokovic, i cili renditet si tenisti më i mirë për momentin, do të ndeshet me Nadalin në Melburn për herë të parë qysh nga viti 2012. Ajo ndeshje, para shtatë vjetëve, kishte zgjatur për gjashtë orë dhe në fund Djokovic e kishte fituar titullin.

“Është definitivisht një nga ndeshjet më të mirë që e kam bërë në këtë fushë. Gjithçka funksionoi në mënyrë të përsosur, pikërisht ashtu siç e kisha planifikuar para ndeshjes. Ishte një ndeshje e vështirë për Lucasin”, tha Djokovic pas përfundimit të ndeshjes.

Djokovic synon ta fitojë titullin e Australian Open për herën e shtatë, që do ta bënte atë tenistin me më së shumti tituj të kësaj gare në Melburn, duke i lënë prapa Roger Federerin dhe Roy Emersonin.

Në anën tjetër, Nadali do të mbeste vetëm dy tituj larg Federerit nëse arrin ta fitoj këtë finale kundër Djokovicit. /Gazeta Express/

 

Loading...