image

OPINION

Nga Basri Kqiku

Ky shkrim është vështrim personal që nuk ka qëllime shkencore socio-filozofike. Por si vëzhgues i zhvillimeve në shoqërinë tonë shprehë shqetësimin për zhvillimet politike në atdhe.
Si komb mendoj se e kemi fituar lirinë kolektive në gjuhë, arsim, kulturë, ekonomi dhe 70% të lirisë politike kombëtare.
Që nga vendosja e sistemit pluralist në Shqipëri më 1991, çlirimi i Kosovës më 1999, marrëveshja e Ohërit 2001, kanë kaluar disa vite të mira për të pasur mundësi reflektimi për të gjithë ata që kanë marrë përgjegjësi politike në hapësirën tonë shqiptare në Ballkan.
Pra, ndërgjegjëja apo morali i ynë si qytetarë të shoqërisë sonë shqiptare kohëve të fundit është bërë debat publik që nga elitat intelektuale dhe mediale e deri te politikbërësit vet. Nevoja e prekjes së kësaj ndërgjegjëje, e cila jo se nuk ekziston, por siç duket po kërkon zgjim nga topitja e përgjumur apo lodhja depresive që na ka përfëshirë në kushtet e lirisë e paqes sot nga agresiviteti ekzistencial. Etika që prekë ndërgjegjëjen tonë të kritikës apo heshtjes, të guximit apo frikës, të mosindiferencës apo indiferencës komode, të mosbindjes apo të nënshtrimit, të kulturës dhe përgjegjësisë apo injorancës dhe papërgjegjësisë, janë shqetësime të natyrshme të elitave intelektuale, por sot është bërë shqetësim i qytetarëve në përmasa të gjëra të shoqërisë sonë. E në faktë do të duhej të bëhej shqetësim imediat i politikanëve që përfaqësojnë popullin të zgjedhur direkt me votën e tij të lirë për ti realizuar kërkesat e tij, të premtuara gjatë fushatave zgjedhore. Pra të fshihemi pas koformizmit individual nuk është aspak e ndershme. Kjo nuk do të thotë që të gjithë të merremi me politikë drejtëpërdrejtë, por ta ndihmojmë politikën që të bëhet më fisnike në misionin e saj për të mirën e përgjithshme në etnikumin tonë. Pra duhet jo vetëm dëshirë, por edhe vullnet për ballafaqim me realitetin për të bërë reforma pozitive në institucionet tona shtetërore.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para do kohe i bënte thirrje organizatave joqeveritare, mediave të shkruara dhe elektronike, si dhe elitave intelektuale për ti sfiduar fenomenet negative si: kapja e shtetit nga sigurimet e huaja. Bile ai “bënte thirrje për heronjë të vërtetë kohës sonë”.
Domosdoshmëria e reformave nuk do të thotë anarki dhe shkatërrim të shtetit, por që me vullnetin e lirë ti hapësh rrugë të mirës së përgjithshme. Kjo do të thotë kur e kërkon interesi i shtetit dhe kombit të tërhiqesh nga pozitat e pushtetit për të mos keqëpërdorur pozitat e tij që të ofron sepse kjo do të thotë fatkeqësi për popullin e pashpresë.
Nevoja për përgjegjësi, profesionalizëm dhe dominim të vlerave në institucionet tona shtetërore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni është kushti i vetëm i funksionimit të demokracisë, që dihet se nuk është “rregulli i artë” i pushtetit politik, por është më i miri se të gjitha sistemet tjera politike që ka provuar historia e qytetërimit njerëzorë deri më sot.
Qeverisje do të thotë shërbim ndaj qytetarëve nëpërmes institucioneve të shtetit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës, që në disa momentet të këtij
viti ka filluar të nxjerr sythat e para, dhe do të na bëjë që edhe ne në etnikumin tonë të mos i shohim politikanët vetëm me syza të errëta. Uroj të fillojmë vitin e ri me këtë frymë ku të urtit, të aftit dhe të mençurit do të dominojnë në udhëheqjen e kombit.