Shpenzimet e të ftuarve të Gjykatës Speciale do të mbulohen nga dy burime të ndryshme buxhetore. Të gjithë atyre që do të ftohen në Hagë në cilësinë e të dyshuarve, shpenzimet do t’u hiqen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërkaq shpenzimet e personave që do të jenë të akuzuar do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Një numër ish-komandantëve dhe ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga java e ardhshme do të përballen në Hagë me pyetjet e një trupe prokurorësh ndërkombëtarë që dyshojnë se ata janë të implikuar në krimet që përmenden në raportin e senatorit Dick Marty.

Prej kohësh kjo trupë është duke kryer hetime të krimeve të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare, përfshirë krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, sikurse përkufizohen në të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe siç janë përcaktuar në ligjin mbi bazën e të cilit është formuar Gjykata Speciale. Ndonëse raporti i senatorit Marty është publikuar në vitin 2011, akoma nuk ka një aktakuzë të ngritur përkitazi me pretendimet e hedhura aty. Por, tek tash prokurorët kanë nisur me intervistimin e të dyshuarve.