Poashtu është përgjuar edhe  një ish deputet i PDSH-së nga Tetova

Shkup, 13 janar – Katër politikanë shqiptarë, prej të cilëve dy janë kryetarë të partive shqiptare në Maqedoni, janë në mesin e personave përgjuar nga policia sekrete maqedonase lidhur me ngjarjet e Kumanovës, njoftojnë për “Lajm” burime të sigurta qeveritare. Sipas tyre, bëhet fjalë për liderë të dy partive jashtë-parlamentare, të cilët janë përgjuar me kërkesë të policisë dhe me urdhër të siguruar prej gjykatës. Përveç liderëve të dy partive politike, janë përgjuar edhe dy politikanë tjerë, prej të cilëve njëri është funksionar i lartë aktual i BDI-së nga Tetova, kurse tjetri është ish funksionar i PDSH-së, poashtu nga Tetova.

Tre prej këtyre politikanëve të përgjuar kanë qenë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, kurse që të katërt së paku nj mandat kanë qenë deputetë në Kuvendin e Maqedonisë.

Siç marrim vesh, bisedat e tyre janë përgjuar nga janari i vitit 2015, deri një muaj pas përfundimit të aksionit policor.

Mirëpo as te bisedat e përgjuara të kryetarëve të dy partive, e as të dy politikanët tjerë, nuk janë gjetur elemente që i inkriminojnë në ngjarjet e Kumanovës.

“Po të kishin gjetur edhe elementin më të vogël ata do të ishin arrestuar deri tani”, thonë burimet tona.

Burimet tona kanë zbuluar për “Lajm” edhe identitetin e atyre politikanëve, por insistojnë të mos e bëjmë publik tani për tani, për shkak të pasojave të mundshme ligjore.

“Janë të përcjellur me Masa të posaçme hetuese, prandaj nëse zbuloni identitetin e tyre mund të keni probleme ligjore. Mund të ju ndodhë e njëjta gjë që i ndodhi Kezharovskit”, paralajmërojnë këto burime.

 

 

Loading...