Raportohet se dy ushtarë amerikanë kanë humbur jetën nga një sulm vetëvrasës në Siri. Përgjegjësinë për sulmin e kanë marrë militantët e ISIS-it. Në këtë sulm ka pasur viktima edhe në mesin e civilëve.

Një agjenci kurde e lajmeve ka njoftuar se në këtë sulm kanë mbetur të vdekur dy ushtarë amerikanë, një luftëtar kurd dhe nëntë civilë. Në disa pamje të publikuara shihet një helikopter duke marrë trupat e të plagosurve. Shteti Islamik ka thënë se një anëtar i tyre e ka hedhur veten në erë pranë një pompe të benzinës.

Trupat amerikane janë vendosur në Manbbij për t’i mbështetur kurdët në luftën e tyre kundër ISIS-it në pjesën lindore të Sirisë. Muajin e kaluar, presidenti amerikan njoftoi për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Ky lajm i ka befasuar aleatët dhe ka shkaktuar kritika edhe në mesin e kongresistëve amerikanë, shkruan “BBC”.