Zëdhënësi i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, Muzemil Osmani i ka quajtur dezinformata raportimet se Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi e ka festuar ditëlindjen me muzikë live me Naim dhe Mihrije Brahën.

Muzemil Osmani për portalin rtv21.tv mohoi se është festuar ditëlindja e kryetarit BFI-së të Maqedonisë. Sipas tij, ahengu në videon në fjalë është bërë me rastin e hapjes së një restoranti dhe pjesëmarrja e Rexhepit është çështje e jetës së tij private. Nga ana tjetër, në një bisedë telefonike të realizuar nga portali rtv21.tv me këngëtarin, Naim Abazin që ishte mysafirë në këtë ndejë pohoi se u festua ditëlindja e kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepit.

Abazi tregoi se duke qenë si mysafirë ai dhe Mihrija kanë kënduar dy apo tri këngë. Por, Abazi përmendi se ai organizim është bërë edhe me rastin e shërimit të një djali nga një sëmundje, shërimin e të cilit e kishte ndihmuar hoxha bashkë me familjen e tij, shkruan rtv21.tv.

Sipas literaturës Islame dhe qëndrimeve të predikuesëve, ndalohen festimet e ditëlindjeve me muzikë dhe pije alkoolike. Video nga ai aheng mori hov fillimisht duke u shpërndarë në rrjetet sociale, pastaj zuri vend edhe në titujt e mediave të shkruara në Kosovë dhe Maqedoni./21Media

Loading...